Vendosni fjalën kyçe....

Senati Amerikan miraton projektligjin për monedhat e qëndrueshme të lidhura me kriptot


Senati i SHBA-së miratoi të martën një projektligj për të krijuar një kuadër rregullator për kriptomonedhat e lidhura me dollarin amerikan, të njohur si monedhat e qëndrueshme (stablecoins), në një çast vendimtar për industrinë e aseteve dixhitale.

Projektligji, i quajtur Akti GENIUS, mori mbështetje dypartiake, me disa demokratë që iu bashkuan shumicës së republikanëve për të mbështetur rregullat federale të propozuara. Ai u miratua me 68 vota pro dhe 30 kundër. Dhoma e Përfaqësuesve, e cila kontrollohet nga republikanët, duhet të miratojë versionin e saj të projektligjit përpara se ai të shkojë në tavolinën e Presidentit Donald Trump për miratim.

“Është një çast i rëndësishëm,” tha Andreë Olmem, një partner menaxhues në firmën ligjore “Mayer Broën” dhe ish-zëvendësdrejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar gjatë mandatit të parë të Trump, shkruan Reuters.

“Për herë të parë, ky sistem përcakton një regjim rregullator për monedhat stablecoin, një produkt dhe industri financiare që po zhvillohet me shpejtësi.”

Monedhat stablecoin, një lloj kriptomonedhe e projektuar për të ruajtur një vlerë konstante, zakonisht sipas një kursi të fiksuar në dollar të fiksuar 1:1, përdoren zakonisht nga tregtarët e kriptomonedhave për të lëvizur fonde midis kriptive. Përdorimi i tyre është rritur me shpejtësi vitet e fundit dhe mbështetësit thonë se ato mund të përdoren për të dërguar pagesa menjëherë.

Nëse miratohet, projektligji për monedhat stablecoin do kërkonte që kriptot të mbështeten nga asete likuide – të tilla si dollarë amerikanë dhe bono thesari afatshkurtra – dhe që emetuesit të zbulojnë publikisht përbërjen e rezervave të tyre në baza mujore.

Industria e kriptovalutave ka kohë që i ka shtyrë ligjvënësit të miratojnë legjislacion që krijon rregulla për asetet dixhitale, duke argumentuar se një kornizë e qartë mund të mundësojë që stablecoin-et të përdoren më gjerësisht. Sektori shpenzoi më shumë se 119 milionë dollarë duke mbështetur kandidatët pro-kriptovalutave në zgjedhjet e vitit të kaluar dhe ishte përpjekur ta paraqiste çështjen si dypartiake.

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projektligj për stablecoin-et vitin e kaluar, por Senati – në të cilin demokratët mbanin shumicën në atë kohë – nuk e mori në shqyrtim atë projektligj dhe ai u shua.

Trump është përpjekur të rishikojë gjerësisht politikat e kriptovalutave amerikane pasi ka tërhequr para nga industria gjatë fushatës së tij presidenciale.