Vendosni fjalën kyçe....

Sekretari i Mbrojtjes: Ushtria amerikane gati për veprim ndaj Iranit


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi të mërkurën se ushtria amerikane është gati të zbatojë çdo vendim që presidenti Donald Trump mund të marrë lidhur me Iranin, duke lënë të kuptohet se drejtimi i veprimeve të SHBA-së mund të bëhet më i qartë në ditët në vijim, përcjell Reuters.

Gjatë një dëshmie në Komitetin e Forcave të Armatosura në Senat, Hegseth ishte i kujdesshëm dhe nuk pranoi të konfirmojë nëse Pentagon ka përgatitur skenarë goditjesh ndaj Iranit. Megjithatë, i pyetur nga senatorët, ai theksoi se ushtria është e përgatitur dhe në gatishmëri për çdo skenar dhe paralajmëroi se Teherani duhej të kishte marrë seriozisht thirrjet e presidentit Trump për një marrëveshje mbi programin bërthamor, përpara se Izraeli të niste sulmet ajrore të premten e kaluar.

“Ata duhet të kishin bërë një marrëveshje. Fjalët e Presidentit Trump kanë peshë. Ne, në Departamentin e Mbrojtjes, jemi të përgatitur me opsione – dhe kjo është pikërisht ajo që po bëjmë,” tha Hegseth.

I pyetur nëse administrata Trump është në proces të rivendosjes së frenimit ushtarak ndaj Iranit, ai u përgjigj:

“Mendoj se në shumë aspekte kjo tashmë është bërë. Pyetja është se në ç’drejtim do të shkojë kjo situatë në ditët që vijnë.”

Presidenti Trump, në një deklaratë për gazetarët të mërkurën, refuzoi të konfirmojë nëse SHBA po planifikon të godasë objektiva iraniane, përfshirë ato bërthamore. Ai tha se Irani ka kërkuar të zhvillojë bisedime, por shtoi:

“Është shumë vonë për të folur tani. Ka një ndryshim të madh mes kësaj jave dhe javës së kaluar. Askush nuk e di çfarë do të bëj.”

Sipas burimeve të afërta me Shtëpinë e Bardhë, po shqyrtohet seriozisht mundësia e bashkimit të SHBA-së me Izraelin në sulme kundër objekteve bërthamore iraniane. Ndërkohë, udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka refuzuar çdo kërkesë të Trump për dorëzim pa kushte.

Ndërkohë, situata në Iran është përshkallëzuar ndjeshëm, pasi mijëra qytetarë janë larguar nga Teherani, duke u përpjekur të shpëtojnë nga sulmet e intensifikuara ajrore izraelite. Sipas ushtrisë izraelite, Forcat Ajrore kanë shkatërruar selinë e shërbimit të sigurisë së brendshme iraniane në një nga bombardimet e fundit.