
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, mori pjesë në forumin e organizuar nga Parlamenti Europian mbi progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, një objektiv që ai e cilësoi si strategjik dhe të pandryshuar për shqiptarët.
Gjatë fjalës së tij, Gjekmarkaj ngriti shqetësime të forta për gjendjen e demokracisë në vend, duke e cilësuar realitetin politik aktual si tejet alarmues. Ai deklaroi se zgjedhjet e fundit nuk ishin të barabarta apo të ndershme dhe i quajti një “farsë elektorale”, për shkak të përdorimit të resurseve shtetërore nga mazhoranca për të ndikuar vullnetin e qytetarëve.
“Përdorimi i administratës, fondet publike me motive politike, përfshirja e krimit të organizuar dhe presioni mbi median dhe sistemin e drejtësisë janë shenja të një regresi demokratik,” tha ai.
Deputeti opozitar kritikoi gjithashtu kapjen e institucioneve, përfshirë sistemin e drejtësisë dhe mediat, duke përmendur rastin e ndjekjes penale ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha, si shembull të drejtësisë së politizuar.
Sipas tij, raporti paraprak i OSBE/ODIHR konfirmon shumë nga këto problematika, duke përfshirë pabarazinë në garën politike dhe përdorimin e burimeve shtetërore nga qeveria.
Në përfundim, Gjekmarkaj theksoi se rruga e Shqipërisë drejt BE-së duhet të mbetet e kushtëzuar, bazuar në standarde të qarta dhe jo në propagandë, duke bërë thirrje për masa konkrete në mbrojtje të demokracisë dhe sundimit të ligjit.