
Izraeli ka njoftuar se sulmet ajrore të kryera gjatë natës çuan në vrasjen e shefit të sapoemëruar të shtabit të Iranit “në kohë lufte”, vetëm disa ditë pasi ai kishte marrë detyrën, pas vdekjes së paraardhësit të tij në një tjetër sulm izraelit.
Sipas deklaratës së Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), pas marrjes së “informacionit të saktë” dhe “shfrytëzimit të një mundësie të papritur gjatë natës së të martës”, Forcat Ajrore izraelite goditën një qendër komanduese me personel në zemër të Teheranit, duke eliminuar Ali Shadmanin.
Irani nuk ka komentuar ende mbi pretendimet e Izraelit lidhur me vdekjen e Shadmanit.
Shadmani ishte emëruar në këtë post të premten, pas vrasjes së gjeneral-lejtnant Gholam Ali Rashid, që udhëhiqte më parë Shtabin Qendror të Khatam al-Anbiya – një njësi që bashkërendon veprimtarinë mes ushtrisë së rregullt iraniane dhe Gardës Revolucionare.
Sipas IDF-së, në rolet e tij të mëparshme, Shadmani kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në hartimin e planeve operacionale të Iranit që kishin për objektiv Shtetin e Izraelit.