
Kandidati i PD-së në qarkun e Elbasanit Bledi Himçi, ka denoncuar gjatë rinumërimit të votave se fletët pa vulë në kuti janë numëruar si vota për PS-në.
Ai tha se fletët që kanë vetëm një vulë ose nuk kanë vulë fare janë llogaritur votë për PS-në duke kërkuar shpalljen të pavlefshme të kutisë dhe ndryshimin e tabelës përmbledhëse.
“Fleta hyn te kutia e të vlefshmeve, është vetëm më një vulë dhe vazhdojnë e konstatojnë si të vlefshme, dhe vota sigurisht është për PS-në. Edhe fleta tjetër, që s’ka vulë farë është shënuar e vlefshme për numrin 5, për PS-në, pjesë e trenit bullgar. Po kërkojnë t’i konstatojnë përsëri të vlefshme. Duhet bërë korrigjimi edhe i tabelës por jo vetëm, edhe konstatimi për pavlefshmëri i kësaj kutie. Për sa kohë futet një fletë bosh, e cila ka krijuar trenin bullgar dhe shikoni dhe rezultatin e kësaj qendre, është që kjo kuti të dali e gjitha e pavlefshme. Kjo është kërkesa jonë lidhur me këtë kuti votimi. Ky është një proces që ne e kemi konstatuar nga pamjet filmike. Po e rishikojmë dhe këtu dhe është një situatë skandaloze”, tha Himçi, shkruan Euronews.
KQZ vendosi rinumërimin e 904 kutrive të qarkut Elbasan, të gjitha votat e qarqeve Tiranë e Fier dhe disa qindra kuti në qarkun Durrës.
Rinumërimi po bëhet në pallatin e sportit “Farie Hoti” dhe do kushtojë 21 milionë lekë të reja.