
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sot në Samitin e SEECP në Tiranë që Bashkimi Evropian të ecë përpara me vendime konkrete për Kosovën, duke përfshirë heqjen e masave të padrejta dhe dhënien e statusit të kandidatit.
“Qytetarët e Kosovës nuk duhet të mbahen peng nga masa që i dëmtojnë drejtpërdrejt dhe që nuk i shërbejnë as paqes, as dialogut, e as të ardhmes evropiane të rajonit tonë”, deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se orientimi i Kosovës është i qartë dhe i palëkundur: drejt BE-së dhe NATO-s, si pjesë e natyrshme e familjes euroatlantike.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Osmani falënderoi Presidentin Bajram Begaj për mikpritjen dhe lidershipin në këtë samit të nivelit të lartë të liderëve të vendeve të Evropës Juglindore.