
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në një intervistë të rrallë për mediat disidente iraniane, ka deklaruar se operacionet ushtarake izraelite kundër Iranit përbëjnë një mundësi historike për popullin iranian që të rrëzojë regjimin e tij shtypës.
“Ky është momenti, ora juaj e lirisë është afër, po ndodh tani”, tha Netanyahu për Iran International, duke inkurajuar iranianët të përfitojnë nga situata për të kërkuar ndryshime.
Netanyahu e ka cilësuar Republikën Islamike si një regjim të ndërtuar mbi kërcënimin e armëve bërthamore dhe balistike kundër Izraelit. Ai ka theksuar se sulmet ajrore izraelite kanë synuar infrastrukturën bërthamore dhe prodhimin e raketave të Iranit, si pjesë e një strategjie për të dobësuar aftësitë ushtarake të regjimit, përcjell JP.
Sipas HRANA, sulmet izraelite që nga e premtja kanë shkaktuar 322 viktima dhe 684 të plagosur në Iran. Netanyahu ka insistuar se Izraeli po bën përpjekje për të minimizuar viktimat civile, duke paralajmëruar paraprakisht evakuimin e zonave pranë objektivave ushtarake.
Në një mesazh drejtuar iranianëve, Netanyahu ka bërë një krahasim historik: “Ciri i Madh i çliroi hebrenjtë, tani është radha juaj të jeni të lirë”, duke shprehur besimin se Irani mund të rikthehet në lavdinë e tij të dikurshme.