
“Kalimi i Rubikonit” është një mënyrë për të thënë “se nuk ka kthim prapa”, një veprim përfundimtar për të marrë kontrollin e fatit dhe për të kaluar një pikë pa kthim me vendosmëri të pandalshme. Por kalimi i Rubikonit në vetvete është një detyrë mjaft e lehtë, fizikisht, kështu që pse kjo idiomë ka kaq shumë peshë?
Rubikoni rrjedh ende sot. Është një lumë në verilindje të Italisë së sotme, pak në jug të Çezenës dhe në veri të Riminit, i cili rrjedh poshtë Maleve Apenine dhe del në Detin Adriatik. Është larg të qenit një gji i pakalueshëm i rrethuar nga ujëra të shpejta e të rrëmbyeshëm. Në fakt, sot, është pak më shumë se një përrua i qetë dhe i cekët që kalohet lehtësisht nga ura piktoreske.
Arsyeja pse ka një reputacion kaq legjendar është rëndësia e tij historike gjatë rënies së Republikës Romake dhe ngritjes së Jul Cezarit. Duke “kaluar Rubikonin”, Cezari në fakt shkaktoi Luftën Civile Romake, duke e vendosur atë në një shtegu drejt një pushteti pothuajse të pakontestueshëm derisa u vra.
Në shekullin e parë p.e.s., Lumi Rubikon shërbeu si një kufi natyror midis zonave direkt nën kontrollin e Romës në Gadishullin Italian dhe Galisë, një rajon “i pazbutur” në Evropën kontinentale që ishte shtëpia e grupeve të mëdha të fiseve kelte.
Romakët, të udhëhequr nga gjenerali famëkeq për forcën dhe efektivitetin e tij, Jul Cezari, kishin arritur të pushtonin pjesën më të madhe të Galisë përmes një serie fushatash ushtarake të përgjakshme midis viteve 58 dhe 50 p.e.s. Ai më vonë u mburr se pushtimet e tij në Gali kishin lënë një milion të vdekur dhe një milion të tjerë të skllavëruar.
Kjo ishte një copë e madhe toke për t’u menaxhuar në kohët e lashta, por romakët kishin zhvilluar një sistem qeverisjeje për të mbajtur gjërat nën kontroll (të paktën në teori). Gjeneralëve u ishte dhënë imperium (“e drejta për të komanduar”) për të sunduar mbi provincat e tyre përkatëse, por vetëm magjistratët e zgjedhur mund të mbanin pushtetin brenda thelbit të Republikës Romake.
Nëse një gjeneral dhe ushtria e tij vendosnin të largoheshin nga provinca e tyre e largët dhe të shkonin drejt Romës, kjo do të ishte një sfidë e qartë për pushtetin e senatit dhe do trajtohej si një kryengritje.
![]()
Në janar të vitit 49 p.e.s., kjo është pikërisht ajo që bëri Jul Cezari. Studiuesit kanë debatuar pafund pse ai ndërmori atë hap fatal, dhe historia bëhet shumë komplekse, por e vërteta më e thjeshtë është se Republika Romake ishte duke u shkërmoqur dalëngadalë, e copëtuar nga fiset e qytetërimeve të tjera: trazirat sociale, korrupsioni dhe paqëndrueshmëria politike.
Ndërkohë, ushtarët në provinca ishin bërë gjithnjë e më besnikë ndaj gjeneralëve të tyre, jo ndaj republikës së largët të Romës qindra kilometra larg. Si të tillë, gjeneralët – veçanërisht Cezari gjithmonë ambicioz – ishin në gjendje të grumbullonin ushtri me luftëtarë të stërvitur mirë dhe besnikë.
Cezari nuk ishte budalla. Ai e dinte që akti i kalimit të Rubikonit nuk do pritej mirë, por e dinte se ishte një hap i domosdoshëm drejt marrjes së pushtetit përfundimtar. Pasi mori vendimin, ai shqiptoi fjalët e famshme: “Le të hidhen zaret”, një mënyrë tjetër për të thënë “Tani nuk ka më kthim prapa”.
Pjesa tjetër është histori. Pasi u kalua Rubikoni, shpërtheu lufta civile midis dy fraksioneve të udhëhequra nga Jul Cezari dhe dikur aleati i tij Pompei. Ajo që pasoi ishte një luftë brutale që riformësoi Republikën Romake. Fitorja përfundimtare e Cezarit shënoi fundin e institucioneve demokratike në rënie të Republikës dhe hapi rrugën për ngritjen e Perandorisë Romake.
Sfida e vërtetë nuk ishte kalimi i vetë lumit, por ndërmarrja e hapit të pakthyeshëm të zgjedhjes së një rruge dhe pranimit të pasojave që vazhdojnë të gjëmojnë edhe sot.
VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e IFL Science
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani