
Disa orë pas raportimeve për një goditje të drejtpërdrejtë në Rehovot të dielën, kanë dale pamje që tregojnë shkallën e dëmit të shkaktuar nga një raketë balistike iraniane që goditi pranë “Institutit të Shkencave Weizmann”.
Shpërthimi shkaktoi dëme të shumta në një rreze të gjerë, megjithëse nuk u raportuan viktima në kampus.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin të paktën një ndërtesë laboratori në flakë. Shkrimi citonte Alan Monziani-n, një student doktorature nga Italia i cili banon në konviktet e institutit.
“Është e vështirë të thuhet nëse ishte një goditje e drejtpërdrejtë apo një copë granate”, tha ai, duke përshkruar xhamat e thyer dhe zjarrin që shpërtheu në vend.
“Instituti Weizmann” konfirmoi se disa ndërtesa ishin dëmtuar dhe tha: “Pas breshërisë së raketave të nisura herët këtë mëngjes, disa ndërtesa në kampusin e Institutit Weizmann u goditën. Nuk pati të lënduar. Instituti është në kontakt të ngushtë me autoritetet përkatëse të sigurisë dhe emergjencës dhe po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar sigurinë e stafit dhe të mjediseve të kampusit.”
Stacioni qendror i trenit i Rehovotit pësoi dëme nga shpërthimi gjatë sulmit. Ekipet e logjistikës së Hekurudhave Izraelite dhe përfaqësuesit e Kompanisë Elektrike Izraelite kanë punuar në vendngjarje. Në një vend tjetër shpërthim në Rehovot, vetëm pak kilometra larg institutit, 37 persona u plagosën, shkruan Ynet.