Vendosni fjalën kyçe....

Kufizime të qarkullimit në Tiranë për Ministerialin SEECP më 16 qershor



Policia e Tiranës ka njoftuar se më 16 qershor 2025 do të ketë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore, për shkak të zhvillimit të Ministerialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

Në ardhje të delegacioneve, kufizimet do të prekin rrugët nga Aeroporti i Rinasit deri në qendër të Tiranës, përfshirë Autostradën Durrës-Tiranë, Unazën e Re, Rrugën e Elbasanit dhe Rrugën “George W. Bush”. Në largim, kufizimet do të përfshijnë të njëjtat akse, duke përfshirë edhe Sheshin “Shqiponja”.

Gjithashtu, gjatë zhvillimit të aktivitetit, do të ketë ndalim të përkohshëm të qarkullimit, parkimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve në rrugën “Ludovik Shllaku” dhe Rrugën e Dibrës.

Orari i kufizimeve do të varet nga mbërritja e delegacioneve në Aeroportin e Rinasit. Policia e Tiranës ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këto masa, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së eventit.