
Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi ishte shpallur në kërkim për një aksident me pasojë vdekjen e një 59-vjeçari më 29 maj 2025 në aksin rrugor “Mbikalimi i Patokut–Laç”. Pas aksidentit, i riu ishte larguar nga vendngjarja.
Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Në vijim të hetimeve, u arrestua edhe një 23-vjeçar për “Deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi kishte pretenduar se ishte ai drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin, ndërkohë që hetimet provuan të kundërtën.
Materialet procedurale për të dy të arrestuarit i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.