
Një valë tjetër sulmesh me raketa nga Irani goditi Izraelin të shtunën, duke shënuar kulmin e një nate të tensionuar përplasjesh mes dy vendeve. Autoritetet izraelite konfirmuan se nga sulmet humbën jetën tre persona, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas burimeve zyrtare, sulmet iraniane ishin një kundërpërgjigje ndaj një sulmi të mëparshëm izraelit ndaj objektivave bërthamore dhe ushtarake në territorin iranian, i cilësuar si i paprecedentë.
Ky sulm kishte shkaktuar vdekjen e disa prej udhëheqësve të lartë iranianë, si dhe të paktën 78 personave të tjerë. Rreth 320 të plagosur janë raportuar nga pala iraniane, shumica prej tyre civilë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi të premten mbrëma se Irani kishte “kaluar vijat e kuqe” duke goditur zona të banuara dhe qendra të popullsisë civile.

Numri i viktimave nga sulmet e fundit iraniane ndaj Izraelit është rritur në tre, sipas të dhënave të përditësuara nga shërbimet izraelite të emergjencës.

Dy persona humbën jetën dhe 19 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me raketa që goditi pranë banesave në Rishon Lezion, në jug të Tel Avivit, bëri të ditur agjencia izraelite e emergjencave, Magen David Adom. Fillimisht ishte raportuar për një të vdekur, por shifrat u rritën pas vlerësimeve të mëtejshme në terren.

Ndërkohë, viktima e tretë është një grua që u godit nga një fragment armësh gjatë një vale të mëparshme sulmesh gjatë natës së së shtunës. Ajo humbi jetën në vendngjarje në qytetin Ramat Gan, në lindje të Tel Avivit, sipas njoftimit të policisë./CNN
