
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë konfirmuar sot vrasjen e dy figurave kyçe të ushtrisë iraniane gjatë sulmeve ajrore të nisura në kuadër të operacionit “Rising Lion”, përcjell JP. Bëhet fjalë për shefin e Drejtorisë së Inteligjencës të forcave të armatosura iraniane, Gholam-Al-Marhab, dhe komandantin e arsenalit të raketave balistike të Forcave Ajrore të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Mohammad Bagheri.
Sipas IDF, Marhab ishte përgjegjës për vlerësimet e inteligjencës dhe planifikimin operacional të sulmeve ndaj Izraelit gjatë vitit të fundit. Ai konsiderohej figura më e lartë e inteligjencës në Iran dhe kishte lidhje të ngushta me komandantin e përgjithshëm të Forcave të Armatosura Iraniane, Mohammad Hossein Bagheri, i cili gjithashtu u vra gjatë sulmeve.
Ndërkohë, Mohammad Bagheri, i cili drejtonte kapacitetet e raketave me rreze të gjatë veprimi të Iranit, u eliminua së bashku me komandantin e Forcave Ajrore të IRGC-së, Amir Ali Hajizadeh, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë në një qendër komanduese nëntokësore në Teheran.
Operacioni “Rising Lion” nisi të enjten në mbrëmje, duke pasur në shënjestër objektiva strategjikë bërthamorë dhe ushtarakë të regjimit iranian. Si kundërpërgjigje, Teherani lëshoi një breshëri sulmesh ajrore ndaj Izraelit, duke shkaktuar viktima në radhët e civilëve dhe dhjetëra të plagosur. Përplasjet mes dy vendeve vijojnë, ndërsa Irani ka tërhequr pjesëmarrjen nga bisedimet për marrëveshjen bërthamore me SHBA-në.