
Kompanitë ajrore u shmangën nga pjesa më e madhe e Lindjes së Mesme të premten, pasi sulmet izraelite ndaj bazave iraniane i detyruan kompanitë ajrore të anulonin ose të devijonin mijëra fluturime në trazirat e fundit.
Zonat e luftërave në rritje në gjithë botën po bëhen një barrë gjithnjë e më e madhe për operacionet dhe fitimprurësinë e kompanive ajrore dhe më shumë një shqetësim për sigurinë. Shmangiet shtojnë kostot e karburantit të kompanive ajrore dhe zgjasin kohëzgjatjen e udhëtimit, shkruan Reuters.
Izraeli tha të premten se kishte shënjestruar objektet bërthamore të Iranit, fabrikat e raketave balistike dhe komandantët ushtarakë në fillim të asaj që paralajmëroi se do ishte një operacion i gjatë për të parandaluar Teheranin të ndërtojë një armë atomike.
Aeroporti Ben Gurion i Tel Avivit u mbyll dhe njësitë e mbrojtjes ajrore të Izraelit qëndruan në gatishmëri të lartë për sulme të mundshme hakmarrëse nga Irani.
El Al Airlines e Izraelit, tha se kishte pezulluar fluturimet për në dhe nga Izraeli, ashtu si edhe Air France KLM si dhe kompanitë me kosto tëe ulët Ryanair dhe Wizz.
Wizz tha se kishte ridrejtuar fluturimet e prekura nga hapësira ajrore e mbyllur në rajon për 72 orët e ardhshme. Të dhënat e FlightRadar treguan se hapësira ajrore mbi Iranin, Irakun dhe Jordaninë ishte bosh, me fluturime të drejtuara drejt Arabisë Saudite dhe Egjiptit.
Rreth 1,800 fluturime për në dhe nga Evropa ishin prekur deri më tani të premten, duke përfshirë afërsisht 650 fluturime të anuluara, sipas Eurocontrol.
Me hapësirën ajrore ruse dhe ukrainase të mbyllur për shkak të luftës, rajoni i Lindjes së Mesme është bërë një rrugë edhe më e rëndësishme për fluturimet ndërkombëtare midis Evropës dhe Azisë.
Përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme uli aksionet e linjave ajrore në të gjithë botën. Shumë linja ajrore globale kishin ndaluar tashmë fluturimet për në dhe nga Tel Avivi pasi një raketë e lëshuar nga rebelët Huthi të Jemenit drejt Izraelit më 4 maj ra pranë aeroportit.