
Shqipëria po merr pjesë në konferencën më të madhe evropiane për teknologjitë e avancuara dhe startup-et, “VivaTech 2025”, që po zhvillohet në Paris nga data 11 deri më 14 qershor, me moton “Albania Future Now”.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë ngjarje madhore vjen në kuadër të fushatës “Innovation Noe”, e mbështetur nga programi EU4Innovation dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me synim promovimin e ekosistemit të inovacionit shqiptar në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ministri Blendi Gonxhja, i cili përfaqëson Shqipërinë në këtë aktivitet, deklaroi:
“Mendoj që ne jemi në momentin më të mirë tonin sa i takon edhe motos tonë Albania Future Now, pra e ardhmja për Shqipërinë është sot. Inovacioni dhe teknologjia janë sektorë shumë të rëndësishëm për ekonominë digjitale, dhe ne vijmë me një gjuhë të unifikuar dhe një ofertë konkrete, sidomos për parqet teknologjike Durana dhe TEDA.”
Në këtë platformë ndërkombëtare të inovacionit, Shqipëria po prezantohet me katër aktorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik:
Parku Teknologjik Durana
Zona Ekonomike TEDA
Korporata Shqiptare e Investimeve (AIC)
Agjencia për Zhvillimin e Investimeve (AIDA)
Përmes pjesëmarrjes në “VivaTech 2025”, Shqipëria synon jo vetëm të promovojë projektet strategjike kombëtare në fushën e inovacionit, por edhe të ndërtojë ura bashkëpunimi me aktorë ndërkombëtarë, startup-e dhe investitorë të mëdhenj.
Konferenca “VivaTech”, e themeluar në vitin 2016 nga Publicis Groupe dhe Groupe Les Echos, është kthyer në një ndër ngjarjet më të rëndësishme për liderët globalë të së ardhmes në teknologji dhe inovacion.