Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli kryen sulme të reja të njëpasnjëshme mbi bazat e Gardës Revolucionare iraniane (Video)


Forcat Ajrore të Izraelit janë duke kryer aktualisht një seri sulmesh ajrore të njëpasnjëshme ndaj bazave të Gardës Revolucionare Islamike në zonën e Mohammad Shahr, pranë qytetit Karaj në Iran.

Këto goditje vijnë si pjesë e ofensivës së vazhdueshme izraelite ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore iraniane, që ka përfshirë disa qytete të mëdha të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin Teheran.

Nuk ka ende konfirmim zyrtar për numrin e viktimave apo dëmet e shkaktuara nga sulmet në Mohammad Shahr.

Sulmet ajrore ndodhin në një kohë tensionesh të larta mes dy vendeve, pas shkëmbimeve të ashpra të zjarrit që nisën pas goditjeve izraelite në Iran gjatë natës.

Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, i cilësoi sulmet si një “veprim të domosdoshëm”, duke deklaruar se “kërcënimi iranian ka marrë një kthesë dramatike muajt e fundit”.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se kanë qëlluar objekte që lidhen me programin bërthamor iranian dhe raportuan se komandanti i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë, janë vrarë, sipas BBC.

Autoritetet iraniane konfirmuan vrasjen e gjashtë shkencëtarëve në këto sulme, ndërsa televizioni shtetëror raportoi se mes viktimave ka edhe civilë, përfshirë fëmijë – këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje autoriteteve iraniane të negociojnë për programin bërthamor, duke paralajmëruar për “sulme edhe më të ashpra” nga Izraeli.

Nga ana tjetër, Irani e akuzoi SHBA-në se po mbështet sulmet izraelite, një pretendim që Uashingtoni e mohoi.