Vendosni fjalën kyçe....

Berisha publikon procesverbalin e Burgut të Elbasanit: Nga 102 vota në total, Sara Mila mori 92


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar sot procesverbalin e votimit në Qendrën e Votimit të burgut të Elbasanit, duke e quajtur rezultatin aty si një shembull të manipulimit elektoral dhe një dëshmi të farsës zgjedhore.

Sipas Berishës, nga 102 vota të vlefshme në këtë qendër votimi, kandidatja e Partisë Socialiste, Sara Mile, ka marrë 92 vota.

Me ironi, ai e cilësoi atë si “princeshën e burgut”, për shkak të mbështetjes masive nga të dënuarit.

“Shikojeni, princesha e burgut, Sara Mile, çfarë t’i thuash. A mund të imagjinoni ju, nga 102 vota të vlefshme, Sara Mile merr 92 vota. Sepse burgun e kontrollojnë ata që kontrollojnë Ulsiun, dhe Ulsiun e kontrollojnë vetëm bandat“, deklaroi Berisha në një dalje për mediat.

Ai akuzoi drejtues të tjerë të mazhorancës për ndërhyrje direkte në votimet në institucione penitenciare, duke përmendur emra si Emiljano Shullazi dhe duke aluduar se votimet janë zhvilluar nën presion dhe terror.

“Ulsiu i ngarkoi Shullazit 313-ën dhe Shullazi nën terror ka detyruar, Mili i Partisë, të burgosurit të votojnë për kandidatin e partisë”, tha Berisha, duke e cilësuar të gjithë procesin si një farsë nga fillimi në fund.

Këto deklarata vijnë pas rihapjes së debatit mbi rregullsinë dhe integritetin e zgjedhjeve të fundit, veçanërisht në institucione ku liria e votës mund të jetë e kufizuar nga ndikime të jashtme.

 Berisha përsëriti akuzat e tij për kapjen e shtetit nga krimi dhe kërkoi një hetim të plotë mbi këto raste.