Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Amerikane: Policia Shqiptare po forcon aftësitë për të shërbyer si vijë mbrojtjeje kundër krimeve


33 specialistë të krimeve të lehta nga Policia e Shtetit kanë përfunduar me sukses kursin e 12-të të Hetimit të Krimeve, i zhvilluar në kuadër të Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnimin për Hetimet Penale (ICITAP), të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Ambasada Amerikane në Tiranë ka përshëndetur përfundimin e këtij trajnimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një hap domethënës për rritjen e profesionalizmit dhe kapaciteteve të Policisë së Shtetit. Trajnimi është zhvilluar në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë dhe Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit.

“Përmes këtij trajnimi rigoroz, policia shqiptare po forcon aftësitë e saj për të shërbyer si një vijë mbrojtjeje thelbësore kundër krimeve që kërcënojnë Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara – dhe për ta bërë këtë me transparencë dhe përgjegjësi”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

Ambasada shton se kursi është në përputhje me parimet bashkëkohore dhe ndërkombëtare të policimit dhe ndihmon në konsolidimin e shtetit ligjor dhe sigurisë së përbashkët mes dy vendeve.