Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqtarët kërkuan rritje pagash me 700 euro, Kushtetuesja reagon pas deklaratës së Ramës: Nuk ndikohemi


Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ku i bënte thirrje që të mos “lajthisë” duke miratuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, të cilët kërkojnë rritje pagash me 700 euro.

 Kushtetuesja thotë në qëndrimin e saj se janë të pavarur dhe se nuk ndikohen në marrjen e vendimeve të tyre.

“Duke marrë shkas nga qëndrime dhe reagime të publikuara së fundi në media dhe në rrjete sociale nga përfaqësues të pushteteve të tjera, përfshi atë ekzekutiv, si dhe të vetë medias, Gjykata Kushtetuese siguron publikun dhe palët në proces se ajo është e pavarur në ushtrimin e funksionit të saj kushtetues dhe nuk ndikohet prej tyre në veprimtarinë ose vendimmarrjen e saj.

Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve.”

Një ditë më parë, kryeministri Rama e cilësoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të depozituar në Kushtetuese për rritje pagash, për herë të dytë ka kaluar tre vite, këtë herë me 700 euro si skandaloze.

Në një reagim në X, kreu i qeverisë bëri shpjegimet përkatëse ligjore teksa nënvizonte që Kushtetuesja të mos “lajthisë” duke përsëritur vendimin e mëparshëm për të colin qeveria heshti për respekt të pavarësisë së drejtësisë.

Unioni i Gjyqtarëve e ka depozituar kërkesën në datën 3 Mars 2025 në Gjykatën Kushtetuese, ku aktualisht e ka kaluar seancën paraprake dhe në mes të muajit Qershor pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e saj.

 Unioni i Gjyqtarëve mendon se ka të drejtë të kërkojë këtë rritje të pagave, ndërsa pritet vendimi që do të marrë Kushtetuesja.