
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi gjatë vizitës së tij të parë në Ukrainë që nga fillimi i agresionit rus se “nuk e ka tradhtuar Rusinë” dhe se në Samitin e mbajtur në Odesa nuk ka nënshkruar deklaratën që dënon agresionin, pasi ajo bënte thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, përcjell REL.
Vuçiç theksoi se Serbia ka qëndruar neutrale dhe se askush nuk ka ushtruar ndonjë “presion të madh” ndaj tij për ta nënshkruar këtë deklaratë. “Sërish kam qenë i vetmi që nuk e kam pranuar deklaratën. Ndryshe nga ata që pranojnë çdo gjë kundër Rusisë, çdo gjë që munden”, tha ai më 11 qershor para gazetarëve në Odesa, ku mori pjesë në Samitin Ukrainë – Evropa Juglindore.
Deklarata, e nënshkruar në Samitin e Odesës nga liderë të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Rumaninë, Moldavinë, Greqinë dhe Kroacinë, dënon agresionin rus, bën thirrje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe dënon krimet e luftës të kryera nga Rusia. Dokumenti, ndër të tjera, i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Ukraina dhe dënon dëbimin e mijëra civilëve ukrainas, përfshirë fëmijë, për në Rusi.
Gjatë fjalimit të tij në Samit, presidenti serb deklaroi se Serbia do të vazhdojë të respektojë të drejtën ndërkombëtare, përfshirë “mbrojtjen e integritetit territorial të vendeve që janë të njohura nga Kombet e Bashkuara”. “Gjithmonë kemi mbrojtur këtë qëndrim dhe do të qëndrojmë të palëkundur në këtë pikë. Mendoj se në një mënyrë kjo mund të jetë edhe e dobishme për Ukrainën”, tha Vuçiç.
Në margjinat e Samitit, ai u takua edhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke diskutuar për rëndësinë e paqes afatgjatë dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Vuçiç publikoi një postim në Instagram duke e shoqëruar me një fotografi me Zelenskyn, ku tha se kishin shkëmbyer mendime për diplomacinë dhe rolin e saj në kapërcimin e konflikteve.
Serbia ka deklaruar neutralitetin e saj gjatë tre vjetëve të luftës dhe ka mohuar se furnizon palët e përfshira me armë. Megjithatë, Rusia e akuzoi Beogradin më 28 maj se, “pavarësisht deklaratës zyrtare për neutralitet”, Serbia vazhdon të furnizojë Ukrainën me municione, duke e cilësuar këtë si një “goditje pas shpine”. Pas kësaj akuze, Vuçiç deklaroi se Serbia do të ndërpresë kontratat për shitjen e armëve në rast dyshimi për abuzim.