Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Kina arrijnë marrëveshje për lehtësimin e kufizimeve të eksportit dhe ruajtjen e armëpushimit tarifor


Zyrtarë të SHBA-së dhe Kinës deklaruan të martën se kanë arritur një marrëveshje kuadër për të rivënë në rrugën e duhur armëpushimin tregtar dhe për të hequr kufizimet e vendosura nga Kina mbi eksportin e mineraleve të rralla, edhe pse marrëveshja ofron pak shenja për një zgjidhje të qëndrueshme të tensioneve të kahershme tregtare.

Pas dy ditësh negociatash intensive në Londër, Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, u tha gazetarëve se kjo marrëveshje kuadër i jep “substancë” marrëveshjes së arritur muajin e kaluar në Gjenevë, për të zbutur tarifat ndëshkuese dypalëshe që kishin arritur nivele të trefishta.

Megjithatë, marrëveshja e Gjenevës ishte penguar nga vazhdimi i kufizimeve të Kinës mbi eksportet e mineraleve kritike, duke shtyrë administratën Trump të përgjigjet me kufizime të reja mbi eksportet amerikane të softuerëve për dizajn të gjysmëpërçuesve, pajisje ajrore dhe mallra të tjera drejt Kinës.

Sipas Lutnick, marrëveshja e Londrës do të heqë kufizimet mbi eksportet kineze të mineraleve të rralla dhe magnetëve, si dhe disa nga ndalimet më të fundit të eksportit të SHBA-së, “në një mënyrë të balancuar”, por pa dhënë detaje konkrete pasi bisedimet përfunduan rreth mesnatës sipas orës së Londrës.

“Kemi arritur një marrëveshje kuadër për të zbatuar konsensusin e Gjenevës dhe bisedën mes dy presidentëve,” tha Lutnick, duke shtuar se të dy palët do ta paraqesin tani këtë kuadër për miratim tek presidentët përkatës, përcjell Reuters.

Në një konferencë tjetër, zëvendësministri i Tregtisë së Kinës, Li Chenggang, po ashtu tha se është arritur një marrëveshje parimore që do t’u dërgohet liderëve të të dy vendeve.

Politikat e ndërrueshme të tarifave të Presidentit Donald Trump kanë trazuar tregjet globale, kanë shkaktuar bllokime në porte dhe i kanë kushtuar kompanive dhjetëra miliarda dollarë në shitje të humbura dhe kosto më të larta.

Banka Botërore uli të martën parashikimin për rritjen globale në vitin 2025 me 0.4 pikë përqindje, në 2.3%, duke thënë se tarifat më të larta dhe pasiguria e shtuar janë një pengesë serioze për pothuajse të gjitha ekonomitë.

Marrëveshja e re mund të parandalojë që marrëveshja e Gjenevës të shembet për shkak të kontrolleve të ndërsjella të eksportit, por nuk zgjidh dallimet e thella për tarifat e njëanshme të Trump dhe ankesat afatgjata të SHBA-së ndaj modelit ekonomik të Kinës të udhëhequr nga shteti dhe i orientuar nga eksporti.

Josh Lipsky, drejtor i Qendrës për Gjeoekonominë pranë Këshillit Atlantik në Uashington, tha se dy palët larguan nga Gjeneva me interpretime të ndryshme për kushtet e marrëveshjes dhe se u deshën më shumë specifikime për veprimet e kërkuara.

“Janë kthyer në pikën zero, por kjo është më mirë se sa të mos ishin fare në lojë,” tha Lipsky.

Afati për të arritur një marrëveshje më të plotë është deri më 10 gusht, përndryshe tarifat do të kthehen në nivele të larta – nga rreth 30% në 145% për SHBA-në dhe nga 10% në 125% për Kinën.

 

Tregjet të kujdesshme

Aksionet globale janë rikuperuar pas humbjeve të rënda që pasuan njoftimin e tarifave në “Ditën e Çlirimit” të prillit nga Trump, dhe aktualisht janë afër niveleve rekord. Megjithatë, investitorët reaguan me kujdes ndaj marrëveshjes.

“Detajet do të jenë përcaktuese, por mungesa e reagimit tregon se kjo ishte e pritshme,” tha Chris Weston, kreu i kërkimeve në Pepperstone, Melbourne.

“Rëndësi ka niveli i mineraleve të rralla që do të shkojnë drejt SHBA-së dhe liria që do të kenë çipat amerikanë për të shkuar në Azi, por për aq kohë sa lajmet janë konstruktive, asetet me rrezik duhet të qëndrojnë të mbështetura.”

Në Kinë u shfaqën shenja të zbutjes së kufizimeve, pasi disa kompani të listuara në Shenzhen, si JL MAG Rare-Earth, Innuovo Technology dhe Beijing Zhong Ke San Huan, njoftuan se kanë marrë licenca eksporti nga autoritetet kineze.

Kina mban pothuajse një monopol mbi magnetët prej elementësh të rrallë, një komponent thelbësor për motorët e makinave elektrike, dhe vendimi i saj në prill për të pezulluar eksportet e një game të gjerë mineralesh kritike tronditi zinxhirët globalë të furnizimit.

Në maj, SHBA u kundërpërgjigj duke ndaluar dërgesat e softuerëve për dizajn të gjysmëpërçuesve, kimikateve dhe pajisjeve ajrore drejt Kinës, si dhe duke revokuar licencat e eksportit të mëparshme.

 

Eksportet e Kinës bien ndjeshëm

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, tha në një vizitë të rrallë në Pekin të mërkurën se zgjidhja e luftës tregtare mund të kërkojë rregullime politike nga të gjitha vendet për të trajtuar çekuilibrat financiarë dhe për të shmangur dëmet ekonomike të ndërsjella.

Të dhënat doganore të publikuara të hënën treguan se eksportet e përgjithshme të Kinës drejt SHBA-së ranë me 34.5% në maj – rënia më e madhe që nga fillimi i pandemisë COVID.

Ndërkohë që ndikimi mbi inflacionin dhe tregun e punës në SHBA ka qenë i kufizuar deri më tani, tarifat kanë goditur ndjeshëm besimin e biznesit dhe konsumatorëve amerikanë, dhe dollari mbetet nën presion.

Avokati 28-vjeçar nga Pekini, Peter Wu, e cilësoi marrëveshjen si “një sinjal pozitiv” edhe pse mungojnë detajet.

“E shoh luftën tregtare në një botë të globalizuar si një situatë ku të dy palët humbasin. Natyrisht që shpresoj që atdheu im të jetë më mirë,” tha ai.

Kina, Meksika, Bashkimi Evropian, Japonia, Kanadaja dhe kompani të shumta të industrisë ajrore i kanë kërkuar administratës Trump të mos vendosë tarifa të reja për avionët dhe pjesët e tyre, sipas dokumenteve të publikuara të martën.

Menjëherë pas njoftimit të marrëveshjes kuadër, një gjykatë apeli në SHBA lejoi që tarifat më të gjera të Trump të mbeten në fuqi ndërsa shqyrton një vendim më të ulët që i bllokonte ato si tejkalim të kompetencave ligjore të presidentit.

Ky vendim ruan në fuqi një mjet presioni ndaj Kinës – tarifat 34% të Trump që aktualisht janë pezulluar, por që kishin nxitur përshkallëzimin e tarifave.