
PD-ja e kandidati në listën e hapur në Dibër Xhemal Gjunkshi kanë kërkuar hapjen e kutive të tjera për votën preferenciale përveç 42 të rinumëruarave, pasi gjatë procesit doli se vota ishte ndryshuar nga numëruesit.
Gjunkshi i kërkoi KAS-it gjatë mbledhjes që ngushtimi i diferencës me 54 vota në këto kuti tregon se edhe në të tjerat mund të ketë prova shtesë që çojnë në ndryshimin e rezultatit të tabelave, përveçse përgjegjësisë penale të komisionerëve.
Gjunkshi kërkoi gjithashtu verifikimin e pamjeve filmike shtesë të KQZ-së për kutitë e tjera të numëruara, hapjen e të gjitha kutive të Diasporës dhe 15 nga 16 kutive të KZAZ-së së Matit.
KAS pasi dëgjoi kërkesat e reja, u tërhoq për vendim, teksa për 42 kutitë e rinumëruara u shpreh se nuk prodhuan plotësisht por vetëm pjesërisht pretendimin e ankimuesit, duke mos sjellë ndryshim rezultati. Diferenca e Gjunkshit nga Përparim Spahiu, është me 120 vota.
Gjunkshi në KAS: “Duket qartazi, u faktua, u dallua se ka mospërputhje të rezultatit. Ju keni pranuar si KAS nga PD pamjet filmike, kjo tregon se çfarë ndodh mëpas. Gjatë numërimit rezultoi se nuk përputhet ajo që është shënuar me atë që ndodhet në pamjet filmike. Pamjet filmike nuk janë private, por të KQZ. Kam konstatuar se në 3 KZAZ janë 130 vota që bëhet diferenca mes kandidatëve. Të bëhet verifikimi i çdo kutie me tabelën e rezultatit. Unë kërkoj që të merret në konsideratë nga ana juaj me verifikim të pamjeve filmike me tabelën e rezultatit. Të merret në konsiderat e verifikohet KZAZ e Burrelit për rezultatin me pamjet filmike, gjithashtu edh pamjet filmike e rezultatin që është marrë nga Diaspora. Ka edhe transferim të votës së partisë tek ajo e kandidatit, që ka të bëjë me kryqin në fletën e votimit. Pra sa janë votat e partisë dhe secilit kandidat. Ka transferim të konsiderueshëm të votave që e përmbysin komplet rezultatin. Ndaj kërkoj të bëhet krahasim i votave që janë numëru për subjektet, me tabelën e rezultateve që kanë kandidatët.”