Vendosni fjalën kyçe....

Të dyshuar për mashtrim financiar në luftërat e Sirisë dhe Irakut, arrestohen tre persona në Kosovë


Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për mashtrim financiar ndaj dhjetë grave, ish-pjesëmarrëse në luftërat e Sirisë dhe Irakut. Hetuesit e Sektorit të Hetimeve Financiare, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, me inicialet R.D., i cili më pas është arrestuar.

Dy të dyshuar të tjerë, me inicialet V.G. dhe A.H., janë paraqitur vullnetarisht në zyrat e policisë më vonë. Sipas hetimeve, ata dyshohen se kanë mashtruar viktimat duke u premtuar donacione për integrimin e tyre në shoqërinë kosovare, ndërkohë që në realitet gratë kanë nënshkruar kontrata për kredi nga një institucion mikrofinanciar në Prishtinë, me vlera nga 4,500 deri në 5,000 euro.

Mashtrimi është zbuluar kur institucioni mikrofinanciar ka filluar të kërkojë kthimin e kredive nga viktimat, ndërsa dëmi i shkaktuar vlerësohet në rreth 45,000 euro. Me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, dy nga të dyshuarit, R.D. dhe V.G., janë ndaluar për 48 orë, ndërsa A.H. është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt. Hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e prokurorit të rastit.