Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Hoxha me drejtuesit e Zjarrfikësve: Të parandalohet zjarrvënia e qëllimshme, autorët të ndëshkohen


Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka kërkuar rritje të masave parandaluese ndaj zjarreve, ndërhyrje të shpejtë dhe ndëshkim të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme, duke e cilësuar zjarrvënien me dashje si një akt kriminal.

Gjatë një takimi të zhvilluar në ambientet e Stacionit Zjarrfikës në Kinostudio, Tiranë, me pjesëmarrjen e 61 drejtuesve të Shërbimit Zjarrfikës në vend, Prefektit të Tiranës, përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe zyrtarëve të emergjencave, ministri Hoxha theksoi rëndësinë e hetimit dhe ndëshkimit penal të çdo akti zjarrvënieje të qëllimshme.

“Të dhënat e viteve të fundit na dëshmojnë se në shumë raste, zjarret shkaktohen drejtpërdrejt nga veprimtaria e pakujdesshme ose qëllimisht e dëmshme e vetë njerëzve,” tha ai.

Hoxha bëri thirrje për hetimin e çdo rasti të zjarrvënieve dhe për procedim penal ndaj kujtdo që shkakton zjarr, qoftë me dashje apo nga pakujdesia.

“Asnjë rast nuk duhet dhe nuk do të mbetet pa përgjegjës. Zjarri nuk është thjesht një fenomen natyror, është shpesh një akt kriminal,” u shpreh ministri.

Ai nënvizoi se masat për përballimin e sfidave gjatë sezonit veror duhet të fokusohen tek parandalimi dhe bashkëpunimi i ngushtë institucional.

Përballë sfidave me zjarret, ne kemi nevojë për më shumë se sa reagim. Duhet parandalim,” – tha Hoxha, duke shtuar se për këtë nevojitet angazhim i strukturave vendore të emergjencës, njësive administrative, kryepleqve, shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve.

Ministri kërkoi që në nivel vendor të forcohet koordinimi, të kryhen inspektime paraprake në zonat me rrezik të lartë, të rritet gatishmëria dhe të zbatohen planet lokale të emergjencës.

Në drejtim të pajisjeve dhe infrastrukturës, Hoxha tha se Ministria e Brendshme do të sigurojë mbështetje të plotë për strukturat zjarrfikëse.

Ai deklaroi se do të ndërtohen stacione të reja, si ai i Kinostudios, dhe do të sigurohen mjete të reja përmes buxhetit të shtetit, fondeve të bashkive apo kontributit të donatorëve, të cilëve u shprehu mirënjohje.

Lidhur me bashkëpunimin ndërinstitucional, Hoxha bëri të ditur se po punohet ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrinë e Mbrojtjes për të rritur kapacitetet kombëtare në përballimin e zjarreve.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri Hoxha kërkoi angazhim të menjëhershëm të strukturave zjarrfikëse, me theks tek parandalimi: “Të bashkëpunojmë ngushtë, sepse vetëm të bashkuar mund të jemi efektivë në mbrojtjen e mjedisit, të jetës dhe të pronës së qytetarëve.”