
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka planifikuar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, kanë njoftuar dy zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për Reuters.
Kjo bisedë vjen në një kohë kur Trump po përpiqet të përshpejtojë ndihmat humanitare për Gazën dhe të bindë Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor.
Javën e kaluar, Trump paralajmëroi se i kishte thënë kryeministrit izraelit që të mos ndërmerrte veprime që mund të prishnin bisedimet bërthamore me Iranin.
“Isha shumë i qartë me të se tani nuk është koha për veprime të tilla sepse jemi shumë afër një zgjidhjeje,” tha Trump për gazetarët në Zyrën Ovale. “Por kjo mund të ndryshojë në çdo moment.”
Ndërkohë, Irani pritet së shpejti të dorëzojë një kundërpropozim për marrëveshjen bërthamore ndaj Shteteve të Bashkuara përmes Omanit, tha të hënën zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, duke iu përgjigjur një oferte të SHBA-së që Teherani e konsideroi “të papranueshme.”