Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë, nisin hetimet ndaj drejtorit të Pastrimit dhe katër punonjësve të Bashkisë


Pas zjarrit që përfshiu një ditë më parë fushën e mbetjeve urbane në lagjen “24 Maji” në Vlorë, Policia ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Ndërmarrjes së Pastrimit dhe katër punonjësve të tjerë të Bashkisë Vlorë, përfshirë edhe përgjegjësin e Bordit të Kullimit.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, procedimi penal është regjistruar për shtetasit:

  • F. T., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Ndërmarrjes së Pastrimit

  • A. S., 36 vjeç, përgjegjës i Bordit të Kullimit

  • L. D., 56 vjeç, E. D., 27 vjeç dhe D. I., 35 vjeç, të punësuar si manovratorë pranë Bordit të Kullimit në Bashkinë Vlorë.

Hetimi është hapur mbi dyshimet se këta zyrtarë kanë neglizhuar përmbushjen e detyrës, duke mos marrë masa në kohë për të ndërhyrë dhe ndalur përhapjen e zjarrit, i cili shkaktoi ndotje të konsiderueshme mjedisore.

Ngjarja ndodhi më 7 qershor 2025, rreth orës 12:18, në kushte të temperaturave të larta, që besohet se kanë favorizuar përhapjen e flakëve në zonën e grumbullimit të mbetjeve.

Materialet janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore të secilit prej të proceduarve.