Vendosni fjalën kyçe....

Trump dërgon 2,000 trupa në Los Anxhelos mes protestave kundër bastisjeve të emigracionit



Presidenti Donald Trump ka autorizuar dërgimin e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare në Los Anxhelos pas dy ditësh protestash të dhunshme që shpërthyen si reagim ndaj bastisjeve të imigracionit në qytet, përcjell The Guardian. Masa u kritikua nga guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili e quajti këtë vendim “qëllimisht provokues” dhe paralajmëroi se do të përshkallëzojë tensionet.

Protestat nisën të premten, pas ndërhyrjeve të ICE në zona me popullsi latine në qendër të qytetit dhe më pas u shtrinë në qytetin Paramount. Forcat federale përdorën gaz lotsjellës ndaj protestuesve dhe kalimtarëve, ndërsa tensionet arritën kulmin gjatë përplasjeve me patrullat kufitare.

Sipas autoriteteve federale, më shumë se një duzinë protestuesish u arrestuan për pengim të agjentëve të imigracionit. Disa policë u plagosën lehtë dhe u raportua hedhja e një koktej molotovi ndaj tyre. Më shumë se 118 emigrantë u arrestuan gjatë operacioneve.

Kritikat ndaj administratës Trump u shtuan nga zyrtarë lokalë dhe aktivistë të të drejtave të emigrantëve, të cilët e akuzuan për nxitje kaosi dhe frike mes komuniteteve. Guvernatori Newsom deklaroi se nuk kishte nevojë për ndërhyrje federale, ndërsa kryetarja e bashkisë së LA-së, Karen Bass, e quajti situatën “thellësisht shqetësuese” dhe paralajmëroi se dhuna nuk do të tolerohej.

Administrata Trump, nga ana tjetër, e justifikoi ndërhyrjen me një “politikë zero tolerance” ndaj dhunës dhe tha se protestat përbëjnë një sfidë të hapur ndaj autoritetit të shtetit amerikan.