Vendosni fjalën kyçe....

Sllovakia do bllokojë sanksionet e BE-së ndaj Rusisë nëse dëmtojnë interesat kombëtare


Sllovakia do bllokojë çdo sanksion të Bashkimit Evropian kundër Rusisë që dëmton interesat e saj kombëtare, tha të dielën kryeministri Robert Fico, pasi parlamenti miratoi një rezolutë që i bënte thirrje qeverisë të mos mbështeste asnjë masë të re.

Fico tha se Sllovakia dëshiron të qëndrojë konstruktive brenda bllokut, por ai e quajti rezolutën një mjet politik me një mesazh të fortë.

“Nëse ka një sanksion që do na dëmtonte, unë kurrë nuk do votoj për të”, tha Fico në një konferencë për shtyp të transmetuar në faqen e partisë së tij në YouTube.

Sllovakia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ka mbajtur një qëndrim ndryshe nga aleatët perëndimorë në qëndrimin e saj ndaj Ukrainës nën drejtimin e Fico-s dhe koalicionit të tij qeveritar majtist-nacionalist dhe ka ndaluar ndihmën zyrtare ushtarake shtetërore për Kievin, ndërsa ky i fundit lufton pushtimin e Rusisë, shkruan Reuters.

Fico ka qenë gjithashtu kundërshtar i sanksionimit të Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës, duke thënë se masat tregtare dëmtojnë Sllovakinë dhe BE-në më shumë sesa Moskën.

Rezoluta e re, i angazhoi anëtarët e qeverisë të mos votonin për sanksione të reja dhe kufizime tregtare ndaj Rusisë. Nuk ishte menjëherë e qartë se deri në çfarë mase rezoluta ishte e detyrueshme nga ana kushtetuese.

Fico tha se nuk mund të mbështeste asnjë masë që ndalonte importin e karburantit rus për centralet bërthamore të Sllovakisë.

“Jam i interesuar të jem një lojtar konstruktiv në Bashkimin Evropian, por jo në kurriz të Sllovakisë.”

Sllovakia nuk ka bllokuar asnjë sanksion të mëparshëm të BE-së, përfshirë një paketë të 17-të që synonte flotën në hije të Moskës, të miratuar në maj.

Përpjekjet për të goditur sektorët e gazit dhe bërthamor të Rusisë kanë hasur vijimësisht pengesa, me kundërshtimin e Sllovakisë dhe vendeve të tjera, si Hungaria, që ende mbështeten në furnizimet ruse me energji.