
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe deputet i rizgjedhur për legjislaturën e ardhshme, Edi Paloka, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, deklaroi se zgjedhjet e 11 majit konfirmuan sërish se në Shqipëri nuk mund të ketë proces të ndershëm elektoral nën qeverisjen e Edi Ramës.
Sipas Palokës, fushata dha shpresa për një rezultat ndryshe, falë riorganizimit të PD-së, rikthimit të simboleve, afrimit me administratën Trump dhe faktorit ndërkombëtar, por “realiteti ishte i qartë: me Ramën nuk ka zgjedhje të lira”.
Ai theksoi se pavarësisht paralajmërimeve nga forcat e qendrës së djathtë evropiane për shkelje të parimeve demokratike, Rama nuk lejoi një garë të barabartë, ndërsa opozita kërkoi krijimin e një qeverie teknike për të garantuar standarde zgjedhore.
“Rama nuk është nga ata burra që futet në garë me kundërshtarë të barabartë. Ai gjithmonë synon të fitojë kur kundërshtari është në tapet,” – deklaroi Paloka, duke nënvizuar se blerja e votës dhe përdorimi i burimeve shtetërore ishin elementët që deformuan rezultatin.
Në lidhje me përgjegjësinë e PD-së për rezultatin, Paloka tha se ajo është një çështje që shtrohet shpesh, por theksoi se “nuk është Partia Demokratike ajo që vjedh zgjedhjet”. Ai përmendi si shembuj praktikat e qeverisë me shpërndarjen e parave publike, faljen e detyrimeve fiskale për 150 mijë qytetarë, pagesat për pensionistët dhe skemën e kultivimit të kanabisit si forma të blerjes së votës dhe shkeljes së ligjit.
Në fund, Paloka theksoi se opozita do të vazhdojë të kërkojë një qeveri teknike si e vetmja rrugë për t’u rikthyer besimi në zgjedhje.