Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i Organizatës Botërore të Turizmit: Shqipëria, rritje me 136% – Rama: Konfirmim ndërkombëtar i suksesit tonë


Shqipëria është renditur si destinacioni me rritjen më të madhe të mbërritjeve turistike ndërkombëtare në Europë, sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UN Tourism).

Sipas raportit të publikuar gjatë mbledhjes së 71-të të Komisionit për Evropën të UN Tourism në Baku, Azerbajxhan, Shqipëria ka shënuar një rritje prej +136% në numrin e turistëve ndërkombëtarë krahasuar me vitin 2019, periudha para pandemisë së COVID-19.

Kjo e vendos vendin në krye të listës së dhjetë vendeve europiane me rritjen më të madhe në këtë sektor.

Në grafikën e publikuar nga organizata, Shqipëria lë pas vende si Serbia, Greqia, Portugalia, Malta dhe Moldavia, duke u pozicionuar si historia më e suksesshme e ringritjes turistike në kontinent.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë ndaj këtij vlerësimi, duke e cilësuar atë si një konfirmim zyrtar ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, të ndërtuar mbi vizionin e turizmit të qëndrueshëm.

Shqipëria kryeson sërish në rritjen e flukseve turistike në Europë, me +136% krahasuar me periudhën para-pandemike. Një tjetër konfirmim ndërkombëtar për suksesin e modelit shqiptar të turizmit, i mbështetur në vizionin e turizmit të qëndrueshëm,” shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria, si anëtare me të drejta të plota në Komisionin për Evropën të UN Tourism, ka ndarë përvojën e saj si një histori suksesi që po frymëzon vende të tjera, ndërsa turizmi i qëndrueshëm ka qenë në qendër të diskutimeve të këtij forumi ndërkombëtar.

Ky vlerësim vjen në një periudhë kur Shqipëria po promovohet gjerësisht si një destinacion turistik në rritje dhe gjithnjë e më shumë po tërheq vëmendjen e mediave dhe agjencive ndërkombëtare të turizmit.