
Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me tensione dhe përplasje verbale, pasi kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, përjashtoi nga seanca deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Debati u ndez pasi Noka akuzoi shumicën qeverisëse për korrupsion dhe abuzime me pronat dhe koncesionet, duke përmendur emra konkretë dhe praktika që, sipas tij, “vjedhin Shqipërinë”.
Ai sulmoi ashpër qeverinë, duke thënë: “Kur vidhni thoni se i shërbeni Shqipërisë… kur Pëllumb Gjoka merr dhjetëra hektarë, Sueli kazinotë, apo drogën Troplinët, ju thoni i shërbeni Shqipërisë…”
Kryeparlamentarja Spiropali ndërhyri duke i tërhequr vërejtjen Nokës se kishte kërkuar fjalën për procedurë, por po e përdorte për akuza politike. Pas disa paralajmërimesh për disiplinë dhe ndërprerjesh të njëpasnjëshme, Spiropali vendosi përjashtimin e tij nga seanca.
“Nuk është për procedurë, ta dhashë fjalën tre herë dhe nuk e përdore për procedurë. Kur të marrësh fjalën këtu do flasësh sërish. Je i përjashtuar nga seanca,” deklaroi ajo, duke shtuar: “Po ju respektoj në maksimum për çdo procedurë, por nuk duroj dot as fyerje, as zaptim të foltores.”
Noka refuzoi fillimisht të largohej nga foltorja, ndërsa Spiropali insistoi: “Zoti Noka, largohuni nga foltorja. Largohu se je i përjashtuar.”