Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli plan të ri në Gaza, armatos milicitë rivale me Hamasin


Yasser Abu-Shabab

Izraeli po mbështet në mënyrë aktive milicitë lokale brenda Rripit të Gazës si pjesë e një strategjie më të gjerë për të dobësuar kontrollin e Hamasit në territor dhe për të hedhur themelet për një qeverisje alternative, sipas zyrtarëve të lartë të sigurisë.

Operacioni, i udhëhequr nga shërbimi i sigurisë së brendshme Shin Bet, përshkruhet si “i planifikuar dhe i menaxhuar”, me qëllim pakësimin e viktimave ushtarake izraelite, ndërkohë që minon sistematikisht Hamasin përmes sulmeve të synuara, shkatërrimit të infrastrukturës dhe promovimit të forcave rivale lokale.

Më e shquari mes këtyre milicive udhëhiqet nga Yasser Abu-Shabab, një banor 32-vjeçar i Rafah me prejardhje beduine, i cili përshkruhet në mediat sociale si një “udhëheqës i milicisë në Gazën jugore”.

Sipas Abu-Shabab, grupi i tij tani kontrollon pjesë të Rafahut lindor dhe u ka kërkuar banorëve të kthehen, duke premtuar ushqim dhe strehim. Ai pretendon se vepron “nën legjitimitetin palestinez”, një referencë për Autoritetin Palestinez, dhe thotë se veprimet e tij janë të bashkërenduara me udhëheqjen e tij.

“Ky është një veprim që shpëton jetën e ushtarëve të IDF-së”, tha një zyrtar i lartë për Ynet.

“Është një përpjekje e llogaritur. Ndërsa do duhet kohë për të gjykuar suksesin e saj, ajo padyshim që pengon aftësinë e Hamasit për të ruajtur kontrollin dhe sigurinë që gëzonte dikur. Në fund kjo mund të hapë derën për alternativa të reja qeverisëse.”

Nisma u ekspozua publikisht të enjten kur ish-ministri i Mbrojtjes dhe kreu i Yisrael Beiteinu, Avigdor Lieberman, shkeli censurën ushtarake duke zbuluar se Izraeli kishte armatosur një klan në Gaza që luftonte kundër Hamasit. Zyra e censurës më pas miratoi disa pjesë të informacionit për publikim, por zyrtarët e sigurisë thanë se dëmi ishte bërë tashmë.

Zyra e Kryeministrit nuk e mohoi raportin, duke deklaruar vetëm se “Izraeli po punon për të mposhtur Hamasin përmes mjeteve të ndryshme, duke ndjekur rekomandimet e të gjithë shefave të sigurisë”. Gjatë mandatit si ministër i Mbrojtjes, Lieberman kishte mbështetur përpjekje të ngjashme në Siri, duke armatosur fraksionet rebele të përafruara me interesat izraelite.

Avigdor Lieberman

Jo të gjithë në establishmentin e sigurisë e mbështesin planin. Disa paralajmërojnë se mbështetja e milicisë së Abu-Shabab mund të bëhet një rrezik strategjik afatgjatë, megjithëse zyrtarët duket se janë të gatshëm të tolerojnë bashkëpunimin me aktorë vendas të paangazhuar për sa kohë që ata kundërshtojnë Hamasin.

Udhëheqësi i opozitës, Yair Lapid, e kritikoi ashpër këtë veprim.

“Pasi Netanyahu përfundoi dërgimin e miliona dollarëve për Hamasin, ai tani po u siguron armë grupeve të lidhura me ISIS-in në Gaza.” – tha Lapid.

“E gjitha është e improvizuar, pa planifikim strategjik dhe do çojë në më shumë fatkeqësi. Armët që hyjnë në Gaza përfundimisht do kthehen kundër ushtarëve të IDF-së dhe civilëve izraelitë. Kjo qeveri duhet të largohet.”

Lieberman, në një intervistë në radio, vuri në dyshim gjithashtu nëse plani ishte miratuar nga kabineti i sigurisë.

“Me shumë mundësi drejtori i Shin Bet e dinte këtë,” tha ai, “por nuk e di nëse shefi i stafit ishte plotësisht i informuar.”

Ai paralajmëroi përsëri se “këto armë në fund do përdoren kundër nesh”.

Sipas Lieberman, armët e përfshira përfshijnë armë të lehta dhe pushkë sulmi të kapura nga Hamasi dhe të rishpërndara te forcat rivale.

Abu-Shabab, një figurë polarizuese në Gaza, thuhet se u arrestua nga Hamasi para luftës me akuza për vjedhje dhe trafik droge, por iku nga burgu pasi një sulm ajror izraelit shkatërroi selinë e sigurisë së Hamasit. Në një video të kohëve të fundit, ai njoftoi krijimin e një force të re të armatosur që synonte mbrojtjen e civilëve nga “terrori de facto i qeverisë së Hamasit” dhe nga “plaçkitësit e ndihmave”. Grupi i tij pretendon se shpërndan ushqim dhe furnizime humanitare për qindra familje, përfshirë në zonat nën kontrollin izraelit.

“Kjo nuk është nga dëshira”, tha ai, “por nga nevoja, për të parandaluar zhvendosjen e detyruar”.

Pavarësisht rreziqeve të mundshme, autoritetet izraelite duket se janë të përkushtuara për të ndjekur strategjinë e mbështetjes së grupeve jo të lidhura me Hamasin në Gaza, me shpresën e riformësimit të peizazhit politik pas Hamasit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ynet

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani