
Pas telefonatës së zhvilluar të mërkurën pasdite mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, ka reaguar presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Përmes një mesazhi në platformën “X”, Zelensky risolli në vëmendje bilancin tronditës të sulmeve ruse që nga fillimi i vitit dhe kërkoi që bota të mos tregojë dobësi përballë agresionit.
“Faktet janë kokëforta,” shkroi Zelensky, duke theksuar se vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, Rusia ka lëshuar mbi 27,700 bomba ajrore, ka përdorur mbi 11,200 dronë kamikazë Shahed, rreth 9,000 UAV të tjerë sulmues dhe mbi 700 raketa, përfshirë edhe raketa balistike. Ai paralajmëroi se çdo vonesë e diplomacisë dhe çdo mungesë presioni ndaj Moskës përkthehet në më shumë vdekje, më shumë shkatërrim dhe më shumë vetëbesim për Kremlinin që të vazhdojë pa u ndëshkuar.
Sipas tij, Rusia ka ristrukturuar të gjithë shtetin dhe ekonominë për të zhvilluar luftë në shkallë të gjerë, dhe bisedimet me të nuk kanë sjellë asnjë paqe të qëndrueshme. “Putini ndihet i pandëshkuar,” deklaroi Zelensky, duke theksuar se çdo qëndrim i butë nga Perëndimi përkthehet në leje për mizori të reja.
Zelensky tha se “nëse të fuqishmit nuk e ndalojnë Putinin, atëherë ata ndajnë përgjegjësinë me të”. Dhe më tej: “Nëse doni ta ndaloni, por nuk mundeni, atëherë ai nuk do t’ju shohë më si të fuqishëm.”
Në Ditën e Përkujtimit të Fëmijëve Ukrainas të vrarë nga agresioni rus, presidenti ukrainas u bëri thirrje liderëve botërorë që të mos heshtin dhe të mos tolerojnë më kërcënimet e Moskës. “Vetëm një presion i fortë dhe i qëndrueshëm mund ta detyrojë Rusinë të kërkojë paqe,” theksoi ai.
Reagimi i Zelenskyt vjen në një moment kur zhvillimet diplomatike janë në një pikë të ndjeshme dhe çdo komunikim i nivelit të lartë me Kremlinin shihet me vëmendje të shtuar nga Kievi.
Facts are stubborn things. Since the beginning of this year, the Russian army has carried out attacks against Ukraine using nearly 27,700 aerial bombs, almost 11,200 Shahed drones, around 9,000 other types of attack UAVs, and more than 700 missiles, including ballistic ones. And…
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) June 4, 2025