
Foto ilustruese
Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 9 mijë metra katrorë tokë arë në Fushë Prezë nga Altin Topalli. është përfituar përmes mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit dhe më pas është shitur nga Topalli.
Hetimet nisën pas denoncimit nga M.D. i cili tha se toka arë e gjyshit të tij e përfituar me ligjin 7501 nuk figuronte si pasuri e tij.
Pasuria në fjalë i është shitur në personi tjetër me vlerë 100 mijë euro.
Njoftimi
“Përvetësoi padrejtësisht tokën dhe e shiti për të përfituar, Prokuroria e Tiranës sekuestron 9000m2 tokë arë në Fushë-Prezë.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u sekuestruan 9000 m2 tokë arë në Fushë Prezë.
Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.2754 të vitit 2025 të regjistruar për ‘Mashtrim’ dhe ‘Pastrim i produkteve të veprës penale’, rezultoi se shtetasi A.T. arriti të përvetësojë nëpërmjet mashtrimit dhe shpërdorimit të besimit 9000m2 tokë dhe më pas e ka shitur për përfitime monetare.
Hetimet nisën pasi shtetasi M.D. kallëzoi në prokurori se toka arë e gjyshit të tij e përfituar me ligjin nr.7501, nuk figuronte më si pasuri e familjes së tij.
Nga hetimet, u arrit në konkluzionin se kjo pasuri kishte kaluar në pronësi të shtetasit A.T. edhe pse pronarë kanë qenë e gjithë familja dhe pasuria nuk mund të shitej apo tjetërsohej, pa miratimin dhe pëlqimin e anëtarëve të tjerë të familjes bujqësore, të cilët kanë qenë pjesë e saj në vitin 1992.
Nga dokumentacionet e administruara, rezulton se shtetasi A.T. zotëronte këtë pasuri. I pyetur për blerjen, shtetasi A.T. ka dhënë dy versione për pasurinë, një herë se prona ka qenë e babait të tij dhe ai disponon dokumentacion të vjetër dhe më pas ka deklaruar se e ka blerë. Ndërkohë që nuk ka të dhëna se shtetasit e mësipërm kanë pasur aftesi paguese dhe burim për të paguar shumën e parave prej 62.203.500 leke apo (450.000 Euro) të paguar për blerjen e pasurisë. Kete pasuri shtetasi A.T. ia dhuron në vitin 2016 shtetases B.V, e përfaqësuar me prokurë nga A.V. Ky shtetas shpjegoi se pasurinë e mësiperme e ka blerë në vlerën 100.000 Euro nga A.T.
Nga tërësia e hetimit, rezultoi se shtetasi A.T. ka mashtruar shtetasin H.D., duke i marrë pasurinë dhe duke e kaluar në pronësi të tij.”