Vendosni fjalën kyçe....

Putin refuzon kërkesën e Ukrainës për armëpushim të menjëhershëm: Kush negocion me terroristë?



Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar thirrjet e Ukrainës për një armëpushim të menjëhershëm dhe për zhvillimin e një samiti për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të vendit, i cili tashmë ka hyrë në vitin e tretë, përcjell Financial Times.

Gjatë një takimi të transmetuar në televizion me kabinetin e tij të mërkurën, Putin akuzoi Ukrainën për “organizimin e sulmeve terroriste” pas një serie goditjesh të guximshme në territorin rus dhe hodhi poshtë kushtet e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për paqe.

Si mund të zhvillojmë takime në këto kushte? Për çfarë mund të flasim? Kush negocion me terroristë?”, deklaroi Putin.

Vetëm disa orë më parë, Zelensky e kishte quajtur propozimin e Rusisë një “ultimatum” që do të përkthehej në dorëzim të plotë të Ukrainës.

Deklaratat kundërshtuese nga të dy palët kanë vënë në dyshim bisedimet e ndërmjetësuara nga Turqia dhe SHBA — të parat që nga fillimi i luftës në vitin 2022. Takimi i fundit mes delegacioneve ruse dhe ukrainase u zhvillua të hënën në Stamboll, por pa ndonjë përparim domethënës përveç marrëveshjes për shkëmbimin e të burgosurve.

Dy palët shkëmbyen dokumente me kushtet e tyre për paqe, por mbeten po aq larg sa në fillim të konfliktit. Dokumenti rus përfshin kërkesa si tërheqjen e trupave ukrainase nga disa qytete dhe territore, ndalimin e anëtarësimit të Ukrainës në aleanca ushtarake dhe heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Rusisë.

Ky nuk mund të quhet memorandum, por një ultimatum që Rusia po përpiqet të na imponojë,” tha Zelensky të mërkurën. Ai shtoi se Ukraina është e gatshme për shkëmbime të të burgosurve, por se “bisedimet diplomatike në Stamboll nuk sjellin asnjë rezultat konkret”.

Ndërkohë, Putin fajësoi Ukrainën për një seri shpërthimesh në hekurudha që, sipas tij, kishin për qëllim të sabotonin procesin e negociatave dhe akuzoi Kievin për “sulme të qëllimshme ndaj civilëve”.

Komentet e tij vijnë pas disa prej goditjeve më të rënda të ushtrisë ruse nga ana e Ukrainës, përfshirë sulme me dronë ndaj bazave ajrore brenda territorit rus, të cilat thuhet se kanë dëmtuar rëndë kapacitetet e bombarduesve strategjikë të Moskës.

Putin nuk komentoi drejtpërdrejt për këto sulme, por përmendi shpërthimet në hekurudhë që, sipas tij, shkaktuan 7 të vdekur dhe 73 të plagosur. Ukraina nuk ka marrë përgjegjësinë për këto sulme, por ka përgëzuar operacionet kundër objekteve ushtarake dhe urës që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar.

Pse t’u japim atyre një frymëmarrje në fushëbetejë që ata do ta përdorin për të mbajtur gjallë regjimin e tyre me armë perëndimore, për të vazhduar mobilizimin e detyruar dhe për të planifikuar më shumë sulme terroriste?”, tha Putin.

Presidenti rus ka lënë të kuptohet qartë se nuk ka ndërmend të shpallë armëpushim apo të takohet me Zelenskyn — dy nga kërkesat kyçe të Ukrainës në bisedimet e së hënës.

Ndërkohë, këtë fundjavë, Rusia dhe Ukraina pritet të realizojnë shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga fillimi i luftës — deri në 1,200 persona nga secila palë. Paralelisht, po zhvillohet edhe shkëmbimi i trupave të 6,000 ushtarëve të rënë në luftime.