Vendosni fjalën kyçe....

Punimet te burgu famëkeq i Spaçit, Zhupa kërkon seancë dëgjimore urgjente me ministrin Gonxhe dhe IKTK: Historia mbrohet, nuk zbukurohet për propagandë


Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër lidhur me ndërhyrjet që po kryhen në burgun e Spaçit, një nga simbolet më të errëta të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Zhupa kërkon një seancë dëgjimore urgjente me përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Institutit të Monumenteve të Kulturës (IKTK), shoqatave të ish-të përndjekurve politikë si dhe organizatave dhe fondacioneve që merren me kujtesën historike dhe trashëgiminë.

Në reagimin e saj, ajo thekson: “Kam ndjekur me shqetësim veprimtarinë ndërtimore në burgun e Spaçit, me punime që fshijnë gjurmët e kohës, duke rrezikuar rëndë vlerat autentike të objektit.”

Zhupa shprehet se ndërhyrjet në këtë vend me ngarkesë historike bien ndesh me dëshmitë e gjalla të ish-të burgosurve politikë dhe me dokumentet arkivore. Ajo kritikon heshtjen e institucioneve përgjegjëse dhe kërkon menjëherë pezullimin e punimeve.

“Askush nuk mund të retushojë, zbukurojë, apo tjetërsojë historinë!” – shkruan ajo.

Sipas saj, historia duhet të mbrohet dhe të mësohet, për të mos u përsëritur më, jo të përdoret për qëllime propagandistike.

“Historia mësohet dhe transmetohet për të mos u përsëritur më, nuk zbukurohet për propagandë,” thekson Zhupa.