Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm Hasani vizitë zyrtare në Athinë, në fokus çështja e detit


Tri javë pas rizgjedhjes së Edi Ramës si kryeministër, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Athinë, ku u takua me homologun e tij grek, Giorgos Gerapetritis, dhe më pas në Nikozinë. Gjatë kësaj vizite, Hasani theksoi për gazetën greke “Kathimerini” rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, me synimin për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull dhe për të konsoliduar marrëdhëniet dypalëshe në frymën e respektit të ndërsjellë dhe vlerave të përbashkëta europiane.

Duke u ndalur te çështja e kufijve detarë, ministri Hasani deklaroi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të arritur një zgjidhje të drejtë, të pranueshme dhe të qëndrueshme për të dyja palët, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ai theksoi se dialogu me Greqinë për këtë çështje do të vijojë në një klimë konstruktive dhe me besim të ndërsjellë.

Një tjetër temë e rëndësishme në agjendën e bisedimeve ishte mbrojtja e të drejtave të pakicës greke në Shqipëri. Ministri shqiptar theksoi se pakica greke përbën një pjesë integrale të shoqërisë shqiptare dhe se kuadri ligjor në Shqipëri është përafruar me standardet evropiane për të garantuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët. Ai nënvizoi se komunitetet minoritare janë një urë miqësie mes dy vendeve dhe se qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre.

Sa i përket çështjes së pronave, Hasani pranoi ndjeshmërinë dhe kompleksitetin e kësaj teme, veçanërisht në dritën e historisë së tranzicionit postkomunist. Ai bëri të ditur se qeveria shqiptare po ndërmerr reforma për të përmirësuar proceset e regjistrimit, digjitalizimit dhe zgjidhjes ligjore të kërkesave pronësore, duke garantuar një trajtim të drejtë dhe transparent për të gjithë qytetarët e prekur.

Në intervistën e tij, Hasani foli edhe për interesin e Shqipërisë për tërheqjen e investimeve greke, veçanërisht në sektorët strategjikë si energjia e rinovueshme, turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm. Ai i konsideroi investitorët grekë si partnerë të mirëpritur, të cilët mund të luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Duke u ndalur te integrimi evropian, Hasani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke e konsideruar këtë proces si një interes të përbashkët strategjik për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. Ai theksoi se Shqipëria mbështetet te Greqia që të mbetet një zë i fortë në favor të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Vizita e Ministrit Hasani në Greqi dhe Qipro u përshkua nga një ton pozitiv dhe vullnet i qartë për të çuar përpara bashkëpunimin bilateral, duke adresuar sfidat përmes dialogut dhe mirëkuptimit, në funksion të një partneriteti afatgjatë mes dy vendeve.