
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar në seancë publike kërkesën e saj për shpalljen si antikueshtetuese vendimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit social TikTok.
Sipas AGSH-së, hapi është tejet u rëndësishëm për mbrojtjen e fjalës së lirë, të drejtës për informim.
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) mirëpret vendimin e mbledhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të kaluar në shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën tonë të përbashkët me organiztat partnere për shpalljen si antikushtetues të vendimit nr. 151 të datës 06.03.2025 të Këshillit të Ministrave, që ndalon përdorimin e platformës “TikTok” në Shqipëri.
Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit, të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ne jemi të bindur se ndalimi i një platforme të komunikimit publik, pa transparencë dhe pa vlerësim proporcional të ndikimit të saj, përbën një precedent të rrezikshëm për liritë themelore në vend.
Megjithëse Gjykata ka vendosur të mos pranojë kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë, shqyrtimi në themel i çështjes në seancë publike është tregues i seriozitetit dhe rëndësisë që kjo çështje përfaqëson për rendin kushtetues dhe të drejtat e qytetarëve. Liria e shprehjes është themel i demokracisë, ajo nuk mbrohet duke mbyllur gojën e qytetarëve, por duke hapur më shumë dritare për informacion dhe debat. AGSH mbetet e angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e hapësirës mediatike të lirë dhe të pavarur në Shqipëri.“ – thuhet në reagimin e AGSH-së.
Gjykata Kushtetuese megjithatë hodhi poshtë kërkesën për pezullim të menjëhershëm të vendimit të qeverisë. Seanca do jetë publike dhe në të mund të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara.
Kryeministri Rama e justifikoi mbylljen e TikTok-ut nw mars 2025 me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani pranë shkollës “Fan Noli”, ngjarje e ndodhur më 18 nëntor 2024.
Megjithatë nxënësit nuk kishin llogari në TikTok dhe përplasja mes tyre kishte nisur në rrjete të tjera sociale. Sipas kreut të qeverisë, masa për mbylljen e TikTok-ut kishte marrë mbështetjen dërrmuese të prindërve, ndërsa tha se mbyllja do ishte për një vit.