
Në prani të përfaqësuesve të partive politike dhe të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), u hapën sot katër kuti votimi të qarkut të Vlorës pas pretendimeve të Partisë Demokratike se mungojnë rreth 130 mijë fletë votimi të papërdorura në gjithë vendin.
PD hodhi akuza për manipulim të procesit zgjedhor, por verifikimi në terren rrëzoi pretendimin, pasi fletët e papërdorura ishin ruajtur në kuti të veçanta nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Pas hapjes së katër kutive në bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq, u konfirmua që fletët e papërdorura nuk janë zhdukur, por ka pasur një gabim njerëzor nga komisionerët, të cilët kishin raportuar në procesverbal si “zero” numrin e fletëve të papërdorura më 11 maj.
KAS njoftoi se në kutitë e hapura u gjetën konkretisht 584, 578, 401 dhe 659 fletë votimi të papërdorura.
Megjithatë, ky verifikim nuk e bindi PD-në. Partia pretendon se në një nga kutitë u gjetën shtatë fletë më shumë, ndërsa në një tjetër mungonin dy.
Marash Logu i PD deklaroi se prania e dy fletëve më shumë është tregues për një ndërhyrje të jashtme dhe një mundësi për manipulim përmes të ashtuquajturit “tren bullgar”. Për këtë arsye, PD kërkoi hapjen e të gjitha kutive në vend ku është raportuar “zero” fletë të papërdorura.
Përfaqësuesi i PD, Franc Nuri, tha se të paktën 43 qendra votimi paraqesin anomali dhe kërkoi hapjen e kutive për verifikim: “Unë si përfaqësues i PD nuk e vë në dyshim informacionin nga KQZ, ata thonë se janë 233 qendra votimi në rang vendi me raportim anormal. Nga katër qendrat ku u bë testimi, të katërta dolën me mospërputhje në të dhëna”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i opozitës në KAS, Ledio Braho, ngriti pyetjen se çfarë do të sillte kjo për opozitën, duke vënë në dyshim nëse dy ose tre fletë më shumë janë provë e mjaftueshme për të kërkuar përsëritje të zgjedhjeve.
Pas shumë debatesh, vetëm dy anëtar të KAS, Ledio Braho dhe Elvis Çefa të propozuar nga PD, ngritën një grup pune, i cili do të shkojë në magazinat e KQZ-së e do të verifikojë atje nëse ndodhen ose jo fletët e votimit të papërdorura për 233 Qendra Votimi.
“Këqyrja të bëhet atje ku janë kutitë e materialeve zgjedhore, i njëjti proces si këtu. Subjekti ankues ka të drejtë të sjellë vëzhgues,” tha Braho, duke theksuar që administrata e KQZ do të vazhdojë procesin për secilën kuti ku është raportuar “zero” fletë të papërdorura.