
Dje, një delegacion i nivelit të lartë i Partisë Demokratike të Shqipërisë, i kryesuar nga Sali Berisha, zhvilloi një takim me eurodeputetin Rihards Kols, anëtar i Parlamentit Europian nga Grupi ECR dhe pjesë e Komisionit për Punët e Jashtme (AFET).
Gjatë takimit, Berisha ndau shqetësimet e Partisë Demokratike lidhur me procesin zgjedhor të 11 majit 2025, të cilin e cilësoi si një farsë elektorale dhe një shkelje të rëndë të standardeve demokratike. Ai evidentoi se zgjedhjet u zhvilluan nën presion politik, me përfshirje të institucioneve shtetërore në favor të mazhorancës dhe me ndikim të dukshëm të krimit të organizuar.
Ndër faktet e paraqitura nga Berisha ishin blerja masive e votave përmes abuzimit me fondet publike dhe kontratave të paligjshme, aktivizimi i rrjetit të patronazhistëve dhe keqpërdorimi i të dhënave personale për qëllime presioni elektoral dhe infiltrimi i grupeve kriminale në procesin zgjedhor, në më shumë se 10 qarqe dhe 20 bashki, në mbështetje të rreth 30 kandidatëve të Partisë Socialiste.
Eurodeputeti Kols u shpreh i informuar mbi situatën dhe shfaqi interes për vijimin e monitorimit nga afër, përfshirë mundësinë e ngritjes së një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Ai theksoi rëndësinë që BE i kushton ruajtjes së standardeve demokratike dhe integritetit zgjedhor.
Në takim u theksua se progresi i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit europian është i pamundur pa garantimin e zgjedhjeve të lira, ndarjen e pushteteve dhe rikthimin e standardeve themelore demokratike.