Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në vendin e punës në “Albchrome”, pezullohet puna në repartin e copëtimit të ferrokromit


Një aksident ka ndodhur ditën e sotme në repartin e copëtimit të ferrokromit në Uzinën e Ferrokromit në zonën industriale të Paprrit në Elbasan, që menaxhohet nga kompania “Albchrome”.

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:15, gjatë një procesi teknik periodik për ndërrimin e pllakave të copëtimit. Punonjësi Rudin Meçja, mekanik me përvojë, ka pësuar dëmtime serioze pasi është goditur në shpatull dhe shtyllën kurrizore nga një pjesë e agregatit të pajisjes, ndërkohë që ndodhej poshtë saj. Ai u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Elbasanit dhe më pas në një spital në Tiranë për trajtim të specializuar.

Në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm inxhinieri i procesit Rexhep Xhardja, brigadieri mekanik Myslym Hoxha dhe inxhinieri mekanik Fatjon Ikonomi, të cilët po mbikëqyrnin operacionin.

Menjëherë pas aksidentit, Inspektoriati i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ndërhyri duke vendosur shiritin e pezullimit të punës në repartin ku ndodhi ngjarja. Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.