Vendosni fjalën kyçe....

Trump shtyn afatin për miratimin e paketës së madhe fiskale deri më 4 Korrik


Presidenti Donald Trump po ushtron presion mbi Senatin amerikan për të miratuar paketën e tij të re të taksave dhe shkurtimeve buxhetore deri më 4 Korrik, duke e cilësuar si një “mundësi historike” për të kthyer kahun e vendit.

 Paketa, e përshkruar nga vetë Trump si “ligji i madh dhe i bukur”, është me mbi 1,000 faqe dhe u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve me vetëm një votë diferencë muajin e kaluar.

Trump është takuar këtë javë me liderin e shumicës në Senat, John Thune, dhe po zhvillon biseda të njëpasnjëshme me senatorë republikanë për t’i bindur që të veprojnë me shpejtësi.

Ai i ka kërkuar hapur senatorëve që ta dërgojnë ligjin në tryezën e tij për nënshkrim brenda afatit të Ditës së Pavarësisë.

“Kalimi i këtij LIGJI TË VETËM, TË MADH, TË BUKUR është një Mundësi Historike për të kthyer vendin tonë në drejtimin e duhur,” shkroi Trump në rrjetet sociale të hënën.

 

Përmbajtja e paketës dhe kundërshtimet

Në thelb, paketa parashikon:

Zgjatje të shkurtimit të taksave të vitit 2017, të miratuara gjatë mandatit të parë të Trump,

Heqje të taksave për bakshishet (një premtim kyç elektoral i Trump),

Rritje me 350 miliardë dollarë të fondeve për sigurinë kufitare, dëbimet dhe sigurinë kombëtare,

Rritje të kufirit të borxhit kombëtar me 4 trilionë dollarë.

Për të balancuar këto shkurtime në të ardhurat federale dhe për të shmangur rritjen e borxhit prej 36 trilionë dollarësh, republikanët po propozojnë shkurtimin e shpenzimeve sociale.

Kjo përfshin vendosjen e kërkesave për punë për disa përfitues të ndihmës sociale.

Vlerësimet tregojnë se 8.6 milionë persona mund të mbeten pa sigurim shëndetësor, ndërsa gati 4 milionë të tjerë do të humbin përfitimet nga programi SNAP (kuponët ushqimorë).

 

Luftë politike në Senat

Me një shumicë të ngushtë prej 53 senatorësh republikanë, Thune dhe drejtuesit e tjerë të partisë nuk kanë shumë hapësirë për mospajtime.

Demokratët kanë nisur një ofensivë të fortë kundër projektligjit, sidomos për planet për të shkurtuar Medicaid, ndihmën ushqimore dhe investimet në energjinë e gjelbër.

Ligjvënësit republikanë janë përballur me protesta të ashpra në takimet me zgjedhësit gjatë kthimit të fundit në shtetet e tyre.

“Do të ishte mirë t’i kishim të gjithë në bord, por secili anëtar do të marrë pozicionin e vet,” tha Thune.

 “Në fund duhet të kemi sukses. Dështimi nuk është një opsion. Duhet të arrijmë te 51 vota.”

Senatori Josh Hawley (R-Mo.) konfirmoi se kishte folur me Trump rreth situatës në Senat, duke theksuar se presidenti po kërkon qartësi për pengesat e mundshme.

 

Reagimet demokratike

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, e cilësoi paketën si “të shëmtuar deri në palcë” dhe u shpreh se pretendimet se kjo nuk do të dëmtojë qytetarët janë “gënjeshtra”.

“Pas tymnajës dhe mashtrimeve fshihet një e vërtetë e ftohtë dhe mizore: lehtësira fiskale për më të pasurit, të paguara duke shkatërruar kujdesin shëndetësor për miliona amerikanë,” deklaroi Schumer.

Për tre javët në vijim, Senati pritet të përballet me negociata intensive dhe përplasje politike, ndërsa republikanët përpiqen të bashkojnë radhët për të miratuar paketën para afatit të 4 Korrikut, një simbol i fuqishëm për administratën Trump.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AP