Vendosni fjalën kyçe....

NATO do ta detyrojë Britaninë të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në 3.5% të PBB-së për të kënaqur Trumpin, thonë burimet


Burime nga mbrojtja besojnë se Britania do të detyrohet të pranojë objektivin për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035, si pjesë e një fushate të udhëhequr nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për të mbajtur Donald Trumpin brenda aleancës.

Një burim i lartë nga mbrojtja deklaroi se Britania “pa dyshim” do të nënshkruajë propozimin e Rutte për të rritur shpenzimet e aleatëve për mbrojtjen, çka do të përfaqësonte një rritje reale prej rreth 30 miliardë paundësh krahasuar me planin aktual të qeverisë laburiste.

Ky zhvillim vjen pas përpjekjeve të kryeministrit Keir Starmer për të mos vendosur një afat të qartë për arritjen e objektivit 3% gjatë prezantimit të rishikimit strategjik të mbrojtjes të hënën.

Starmer ka premtuar se do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen nga 2.33% që janë aktualisht, në 2.5% deri në vitin 2027 dhe në 3% gjatë mandatit të ardhshëm parlamentar.

Megjithatë, në një vizitë në kantierin e anijeve BAE në Govan, Glasgou, Starmer la të kuptohej se është i vetëdijshëm për objektivin më të lartë të propozuar, duke thënë për Sky News se “po zhvillohen diskutime për kontributin që duhet të japim në konferencën e NATO-s pas dy ose tre javësh”, në kuadër të një diskutimi më të gjerë për të ardhmen e aleancës, përcjell The Guardian.

Propozimi i Rutte parashikon që vendet anëtare të NATO-s të angazhohen të shpenzojnë 3.5% për mbrojtje “të fortë” dhe 1.5% për fushat si kibernetika, inteligjenca dhe infrastruktura e lidhur me mbrojtjen, duke e çuar totalin në 5% të PBB-së.

“Do të jetë dukshëm mbi 3% sa i përket shpenzimeve të forta”, deklaroi Rutte javën e kaluar.

Burime nga brenda qeverisë britanike theksojnë se është e pamundur që Britania të refuzojë këtë objektiv, sidomos pasi ka shpallur një strategji të re me prioritet “NATO-n e para”.

Situata komplikon më tej përllogaritjet e Thesarit britanik, pasi për NATO-n nuk konsiderohen gjithmonë të vlefshme disa elemente që qeveria i përfshin si shpenzime për mbrojtjen – për shembull inteligjenca.

Detajet e përfshirjes së këtyre elementeve pritet të diskutohen në negociatat përfundimtare.

Rritja e konsiderueshme e shpenzimeve për mbrojtjen do të kërkojë fonde shtesë, që mund të vijnë përmes shkurtimeve në sektorë të tjerë apo rritjes së taksave.

Starmer nuk përjashtoi mundësinë e shkurtimeve të mëtejshme në ndihmën e jashtme, e cila pritet të arrijë vetëm në 0.3% të PBB-së deri në vitin 2027 – çka nuk mjafton për të mbuluar diferencën.

Aleatët e tjerë të NATO-s janë gjithashtu të angazhuar për të mbajtur Trumpin në krahun e tyre dhe për të shmangur një samit të përçarë. Presidenti amerikan ka kritikuar shpesh vendet anëtare për mospërmbushjen e objektivit minimal aktual prej 2% të PBB-së për mbrojtjen, dhe në vitin 2018 kishte kërcënuar me tërheqjen nga NATO nëse nuk ndryshonin gjërat.

Megjithëse së fundmi nuk ka bërë kërcënime të ngjashme, menjëherë pas rizgjedhjes në nëntor të vitit të kaluar Trump kërkoi që vendet anëtare të rrisin shpenzimet në 5% të PBB-së – një nivel shumë më i lartë se 3.4% që shpenzon aktualisht SHBA-ja.

Propozimi i Rutte, i arritur pas takimeve të drejtpërdrejta me Trumpin, lejon një interpretim të gjerë për 1.5% shtesë të shpenzimeve, duke përfshirë deri edhe infrastrukturën komerciale me përdorim ushtarak.

Burimet e mbrojtjes vlerësuan punën e kujdesshme të Rutte – ish-kryeministër i Holandës – për të mbajtur aleancën të bashkuar dhe për lidhjen personale që duket se ka krijuar me Trumpin.

Rutte e vizitoi Trumpin në Mar-a-Lago në nëntor kur ishte president i zgjedhur dhe më pas zhvilloi bisedime zyrtare në Shtëpinë e Bardhë në mars dhe prill.