Vendosni fjalën kyçe....

Tatimet u bëjnë apel bizneseve: Deri në hyrjen në fuqi të ‘paqes fiskale’, paguani detyrimet për të shmangur gjobat


Tiranë, 2 qershor 2025 – Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka drejtuar një apel të qartë bizneseve që të paguajnë detyrimet tatimore brenda afateve ligjore, duke theksuar se vonesat do të shoqërohen me gjoba, kamatëvonesa, interesa dhe masa të tjera ndëshkuese të parashikuara në ligj.

Sipas njoftimit zyrtar, vetëm gjatë muajit maj janë evidentuar rreth 4.7 miliardë lekë (rreth 47 milionë euro) detyrime të papaguara nga bizneset, çka përbën një rritje të ndjeshme të borxhit tatimor.

“Administrata Tatimore bën me dije se gjatë muajit maj 2025 është evidentuar një rritje e detyrimeve tatimore të papaguara në vlerën 4.7 miliardë lekë. Me qëllim informimin e tatimpaguesve dhe shmangien e masave shtrënguese të panevojshme, u bëjmë thirrje që të shlyejnë detyrimet tatimore brenda afateve ligjore”, thuhet në deklaratë.

Tatimet theksojnë se detyrimi për pagesë mbetet në fuqi deri në hyrjen zyrtare të ligjit për faljen e detyrimeve tatimore, që bën pjesë në paketën e shumëpërfolur të “paqes fiskale”.

“Mospagimi në afat i detyrimeve, sipas ligjit nr. 9920/2008 ‘Për procedurat tatimore’, sjell penalitete financiare dhe masa ndëshkuese që vështirësojnë zhvillimin e aktivitetit tuaj ekonomik”, vijon më tej njoftimi.

Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve të mos presin miratimin përfundimtar të ligjit të faljes dhe të përmbushin obligimet e tyre në kohë për të shmangur pasoja që mund të jenë të dëmshme për veprimtarinë e tyre.