
Një prokurore, emri i së cilës nuk bëhet publik, u kanos paraditen e së hënës në zyrën e saj pranë Prokurorisë së Sarandës. Sipas burimeve zyrtare, në ambientet e institucionit u paraqitën dy gra, të afërme të një të miture që dyshohet se është viktimë e një vepre penale të ndodhur ditët e fundit. Të pakënaqura me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur nga prokurorja për autorin e dyshuar, ato e fyen dhe e kërcënuan magjistraten brenda zyrës së saj.
Policia e Sarandës mbërriti menjëherë në vendngjarje, shoqëroi të dyja të dyshuarat dhe mori deklarimet e tyre. Për shkak të konfliktit të interesit, çështja i është kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila do të vijojë hetimet për veprën penale “kanosja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal. Si provë kryesore pritet të përdoren pamjet filmike të kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Sarandës, tashmë të sekuestruara nga hetuesit.