Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja te “Ali Demi”, policia shpall në kërkim autorin dhe administratorin e picerisë, arrestohen 3 punonjës


Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 21-vjeçarin Aldi Neziri, i dyshuar se plagosi me armë zjarri një 15-vjeçar pas një konflikti në një piceri në zonën e “Ali Demit”. Në kërkim është edhe administratori i lokalit, Leonardo Mejdani, 24 vjeç, për moskallëzim krimi dhe pengim të drejtësisë.

Në pranga ranë tre punonjës të picerisë, Ferit Basha (20), Andi Hyka (29) dhe Keivin Bala (20), të cilët dyshohet se pastruan vendin e ngjarjes dhe hoqën DVR-në e kamerave të sigurisë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për moskallëzim krimi dhe pengim të zbulimit të të vërtetës.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dje, te “Ali Demi”, ku u plagos me armë zjarri një 15-vjeçar, kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe disa shtetas të përfshirë në përfshirë në këtë rast. 

Në vijim të veprimeve procedurale:

-u shpall në kërkim autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi A. N., 21 vjeç, për veprat penale  “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; 

-u shpall në kërkim L. M., 24 vjeç, administratori i picerisë ku ndodhi ngjarja, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”; 

-u arrestuan shtetasit F. B., 20 vjeç, A. H., 29 vjeç dhe K. B., 20 vjeç, punonjës të picerisë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Këta shtetas dyshohet se kanë pastruar vendin e ngjarjes dhe kanë hequr DVR-në e kamerës së sigurisë në piceri. 

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një shtetase 15 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.