
Sekretari për çështjet ligjore të Partisë Demokratike, Ivi Kaso, deklaroi gjatë një interviste në emisionin “Log.” se opozita do të kërkojë hapjen e kutive të votimit, jo vetëm për kandidatët e saj që kanë ankimuar rezultatin, por edhe për ata të Partisë Socialiste që u tërhoqën nga ankesat në KQZ, për shkak – sipas tij – të presionit të kryeministrit Edi Rama.
“PD nuk kërkon transparencë vetëm për 7 kandidatët e vet, por edhe për ata të PS që u tërhoqën nga ankesat si me urdhër partie,” tha Kaso. Ai theksoi se asnjë votë nuk duhet tjetërsohet, dhe paralajmëroi ndjekje penale për çdo person që ka ndërhyrë në kutitë e votimit.
Kaso u shpreh i vendosur për të shkuar deri në fund me procesin e ankimimeve dhe theksoi se hapja e kutive është mënyra e vetme për të verifikuar shkeljet në procesin zgjedhor.
“Do i hapim kutitë edhe për socialistët që u detyruan të tërhiqen nga ankesat. PD nuk e ka transparencën vetëm për vete,” përfundoi ai.