Vendosni fjalën kyçe....

Dosja Partizani, caktohet trupa gjykuese që do gjykojë Berishën, Malltezin e tre të tjerë


Elsa Ulliri është gjyqtarja që do kryesojë trupën e Gjykatës së Posaçme për dosjen Partizani ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë.

Dy anëtarët e tjerë të trupës u caktuan pas shortit Bib Ndreca e Rudina Palloj. Treshja duhet të caktojë brenda tre ditësh datën e seancës së parë.

Berisha akuzohet për korrupsion lidhur me privatizimin e mjediseve të ish-klubit Partizani, pasi sipas SPAK-ut, ai ka shfrytëzuar pozicionin si kryeministër asokohe për t’ia dhënë pronën dhëndrit të tij duke shkelur ligjin. Malltezi akuzohet për pastrim parash e korrupsion pasiv.

Berisha i ka cilësuar si politike akuzat ndaj tij ndërsa ka deklaruar se SPAK-u e kreu Dumani janë në shërbim të kryeministrit Rama e veprojnë me urdhrat politikë të tij, duke hedhur poshtë gjithë dosjen.

Nga e majta: Elsa Ulliri, Bib Ndreca, Rudina Palloj