Vendosni fjalën kyçe....

Bisedimet e paqes në Stamboll, Zelensky: Drejt një marrëveshjeje të re për shkëmbimin e të burgosurve


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Kievi dhe Moska po punojnë për një marrëveshje të re për shkëmbimin e të burgosurve, ndërsa delegacionet e të dy vendeve ndodhen në Stamboll për raundin e dytë të bisedimeve të paqes, sipas BBC.

Bisedimet vijnë vetëm pak orë pasi të dyja palët kryen sulme ajrore gjatë natës.

Më herët, Rusia ndërmori një nga sulmet ajrore më të mëdha ndonjëherë ndaj Ukrainës, çka u pasua nga një përgjigje masive nga Kievi, i cili lëshoi 117 dronë mbi bazat ushtarake brenda territorit rus.

Ndërkohë që ndodhet në Lituani për një samit me aleatët, Zelensky u shpreh se nëse bisedimet në Stamboll “nuk sjellin asgjë”, atëherë Rusia duhet të përballet me sanksione të reja.

“Nëse nuk ka rezultat, atëherë duhet të ketë pasoja të reja ndaj agresionit rus”, tha ai.

Edhe pse një përparim i madh nuk pritet nga këto bisedime, të dyja palët duket se po përpiqen të ruajnë marrëdhëniet e tyre me Shtëpinë e Bardhë dhe të shmangin përshkallëzime të mëtejshme.

Një raund i mëparshëm bisedimesh i zhvilluar në Turqi muajin e kaluar nuk prodhoi ndonjë rezultat domethënës, përveç një marrëveshjeje për shkëmbim të të burgosurve.

Zhvillimet e fundit tregojnë se, ndonëse lufta vazhdon me intensitet, kanalet diplomatike mes dy vendeve mbeten ende të hapura për çështje humanitare si shkëmbimi i të burgosurve.