Vendosni fjalën kyçe....

Kina akuzon Pete Hegseth për përçarje në Azi pas fjalimit “provokues” në Shangri-La Dialogue


Qeveria kineze ka akuzuar Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, për përpjekje për të “përçarë” rajonin e Azi-Paqësorit me një fjalim të mbajtur në konferencën e sigurisë Shangri-La në Singapor, ku ai e cilësoi Kinën si një kërcënim të mundshëm “të menjëhershëm”.

Në fjalimin e tij të së shtunës, Hegseth deklaroi se Kina po “përgatitet me seriozitet për të përdorur forcën ushtarake për të ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në Indo-Paqësor”, dhe se po stërvitet për “versionin e vërtetë” të një pushtimi të Tajvanit, përcjell The Guardian.

“Nuk ka arsye për të zbutur tonin. Kërcënimi që paraqet Kina është real dhe mund të jetë i afërt,” tha ai, duke i bërë thirrje vendeve aziatike të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

Të dielën, Ministria e Jashtme kineze dënoi deklaratat e Hegseth, duke i quajtur “plot provokime dhe të destinuara për të shkaktuar përçarje”.

“Hegseth injoroi qëllimisht thirrjet për paqe dhe zhvillim nga vendet e rajonit dhe në vend të kësaj nxiti një mentalitet të Luftës së Ftohtë për konfrontim në blloqe, shpifi ndaj Kinës me akuza të pavërteta dhe e quajti rrejshëm një ‘kërcënim’,” thuhej në deklaratë.

Kina kundërshtoi gjithashtu pretendimet e Hegseth se ajo po përpiqet të bëhet një “fuqi hegjemone” në rajon.

 “Asnjë vend tjetër nuk e meriton të quhet fuqi hegjemone më shumë se SHBA-ja vetë, e cila është faktori kryesor që minon paqen dhe stabilitetin në Azi-Paqësor,” tha ministria kineze.

Deklarata akuzoi gjithashtu Hegseth për “luajtje me zjarrin” për sa i përket “çështjes së Tajvanit”.

Partia Komuniste e Kinës e konsideron Tajvanin si një provincë të sajën, ndërsa qeveria demokratike e Tajvanit dhe shumica e popullsisë së tij kundërshtojnë në mënyrë të qartë qeverisjen nga Pekini.

Ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles, hodhi poshtë kritikat e Kinës ndaj Hegseth, duke thënë: “Ajo që kemi parë nga Kina është rritja më e madhe e kapaciteteve ushtarake në mënyrë konvencionale nga çdo vend që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.”

Ai shtoi se Australia ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me SHBA-në dhe partnerë të tjerë rajonalë për të ruajtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, përfshirë edhe operacionet për lirinë e lundrimit sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit – të cilën SHBA nuk e ka ratifikuar.

Samiti vjetor Shangri-La Dialogue mbledh dhjetëra liderë, ministra mbrojtjeje dhe shefa ushtarakë nga e gjithë bota për diskutime të nivelit të lartë, por shumica e ndërveprimeve të rëndësishme ndodhin në takime private.

Këtë vit, Kina dërgoi vetëm një delegacion të vogël të kryesuar nga nënadmirali Hu Gangfeng i Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Në një panel, Hu akuzoi disa folës për “provokim, ndarje dhe nxitje të konfrontimeve në rajon”.

Ndërsa ministri i mbrojtjes i Singaporit, Chan Chun Sing, theksoi se është thelbësore që Kina dhe bota të kuptojnë njëra-tjetrën.

Ai u shpreh se mungesa e një përfaqësimi më të lartë nga Kina në samit nuk duhet të ndalë përpjekjet për dialog.

 “Është detyrë e të gjithëve që të shtrijnë dorën drejt Kinës në forume të ndryshme, në mënyrë që të shmangim keqkuptimet ose keqinterpretimet, që mund të jenë të rrezikshme,” tha ai.